Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Tre qytete, një jetë dhe një dashuri për Nju Jorkun

6/11/2026

0 Comments

 
Nëse ka një njeri me fat për mënyrën se si i ka kaluar etapat e jetës, ai jam unë. Jeta ime është ndarë mes tre prej qyteteve më të bekuara që kam njohur.

Kam lindur në Shkodër, qytetin e kulturës dhe të Rozafës legjendare, ku natyra ka dhuruar atë që pak vende në botë e gëzojnë, me dy lumenj madhështorë, Drinin dhe Bunën, liqenin që mban emrin e qytetit dhe afërsinë me Detin Adriatik.

Jam burrëruar në Athinë, djepin e demokracisë së lashtë, në tokën ku historia ruan ende gjurmët e heronjve shqiptarë arvanitas.

Ndërsa stacioni i tretë dhe më i rëndësishëm i jetës sime është Nju Jorku, qyteti që më dha mundësinë t’i kthej ëndrrat në realitet. Edhe pse jetoj këtu prej gati dy dekadash, nuk ndihem thjesht banor i këtij metropoli, por ndihem njujorkez. Madje kam përshtypjen sikur rrënjët e mia të largëta lidhen disi me këtë vend. Besoj se këtë ndjesi e përjeton kushdo që jeton magjinë e Nju Jorkut dhe mënyrën sesi ky qytet multietnik të afron, të përqafon dhe të bën pjesë të tij. Përtej shakasë, sa herë që dikush më pyet nga jam dhe dëgjon anglishten time jo të mirë, u them me humor se vij nga Teksasi, për shkak të aksentit tim. Zakonisht qeshin, por e vërteta është se pas kaq shumë vitesh në këtë qytet, ndihem më shumë njujorkez sesa i huaj, sado që ndonjëherë gjuha vazhdon të më tradhtojë.

Kur kisha vetëm nëntë vite në Nju Jork, pata një bisedë me një zotëri 97-vjeçar me origjinë holandeze (Dutch), familja e të cilit ishte ndër të parat që kishte mbërritur në këtë qytet shekuj më parë. Pasi më pyeti sa kohë kisha që jetoja këtu, më tha- “Ti tashmë je zyrtarisht një njujorkez.”

E falënderova për mirësjelljen, por i kërkova të ma shpjegonte pse mendonte kështu.

“Kjo është tradita e familjes sonë,”- më tha. “Ata që vijnë këtu, jetojnë, kontribuojnë dhe bashkëjetojnë me ne, duhet ta ndiejnë Nju Jorkun si shtëpinë e tyre.”

Ai ishte tifoz fanatik i Yankees në bejsboll dhe i Knicks në basketboll. “Nëse jeton në Bronx,” më tha duke qeshur, “nuk ka si të mos jesh me këto dy skuadra legjendare.”

Prandaj sot po ia dedikoj këtë shkrim New York Knicks, skuadrës që po i dhuron qytetit një nga sezonet më emocionuese të viteve të fundit.

Djemtë e Knicks po luajnë basketboll spektakolar. Në shumë momente të kujtojnë skuadrat legjendare të epokës së Michael Jordan, por në versionin e gjeneratës Z. Entuziazmi është aq i madh sa edhe Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shfaqur si një mbështetës i zjarrtë i skuadrës. Edhe pse prania e tij shpesh shoqërohet me reagime të ndryshme, askush nuk mund të mohojë peshën simbolike të një presidenti amerikan në një finale NBA dhe lidhjen e tij me qytetin që nuk fle kurrë.

Knicks janë shumë pranë titullit dhe gjithë qyteti jeton me ethet e suksesit. Vetëm një natë më parë përshkova me makinë Times Square dhe më deshën afro dy orë për të bërë rrugën nga 51st Street deri në 42nd Street përgjatë Seventh Avenue. Të gjitha rrugët që të çojnë drejt Madison Square Garden ishin të mbushura me tifozë.

Kishte vite që Nju Jorku nuk përjetonte një atmosferë të tillë sportive. Turmat janë të zakonshme në këtë qytet, sidomos gjatë Krishtlindjeve dhe ndërrimit të viteve, por festa sportive ka një magji tjetër. Asaj i bashkohen jo vetëm vendasit, por edhe turistët nga e gjithë bota, të cilët për disa ditë ndihen sikur janë vetë njujorkezë.

Kjo festë i kishte munguar qytetit dhe tani po bëhet realitet falë djelmoshave të Knicks, të udhëhequr nga Jalen Brunson. Ai është motori i skuadrës, lojtari që me depërtimet, pasimet dhe gjuajtjet nga distanca sjell energjinë që ndez ekipin.

Ajo që e bën këtë skuadër të veçantë është fakti se pothuajse çdo lojtar mund të godasë nga vija e trepikëshit. Kur vjen momenti për të vulosur fitoren, Knicks bombardojnë kundërshtarët me saktësi dhe vetëbesim.

Kështu ndodhi edhe në ndeshjen e katërt të finales, ku skuadra përmbysi rezultatin në minutat e fundit falë talentit, karakterit dhe qetësisë psikologjike në momentet vendimtare. Një fitore që e ktheu jo vetëm arenën në festë, por gjithë qytetin në një oqean emocionesh.

Sepse kur fiton New York Knicks, duket sikur fiton vetë Nju Jorku bashkë me vizitorët e saj e ardhur nga gjithë bota.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    July 2026
    June 2026
    May 2026
    April 2026
    March 2026
    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact