|
Ngjarjet po rrjedhin me shpejtësi rrufeje. Donald Trump është i pandalshëm, por mbi të gjitha i paparashikueshëm. Nuk është rastësi që zhvillimet globale po ndodhin me këtë intensitet dhe se protagonisti kryesor është një i vetëm, Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Bota po jeton nën hijen e tij. Jemi mësuar që loja gjeopolitike të zhvillohej mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës. Por sot loja është zhvendosur brenda vetë aleancës perëndimore, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në këtë formë. Trump e zgjoi këtë realitet dhe e ktheu në faktor. Ai nuk po i vë në provë aleatët vetëm për t’ua matur forcën, sepse këtë e di prej kohësh si lider i Aleancës Atlantike, por po i teston se sa të aftë janë pa Amerikën, madje duke i trajtuar si “kundërshtarë të përkohshëm”. Europa është e indinjuar si gjithmonë kur dikush po i cënon "rehatinë" e vet. Trump ka folur për Groenlandën dhe Brukseli ka përjetuar një tjetër krizë morale, të shoqëruar me deklarata të thella, shqetësime serioze dhe konferenca shtypi ku thuhet shumë pa u thënë asgjë. Sepse Europa, kur përballet me realitetin, reagon me fjalor. Donald Trump nuk po i kërcënon aleatët europianë, ai thjesht po u heq iluzionet. Dhe kjo është arsyeja pse Europa është kaq nervoze. Për herë të parë pas dekadash, dikush po e trajton siç është, kontinentin e madh, me histori të lavdishme, parime fisnike dhe… zero kapacitet për të imponuar vullnetin e vet pa SHBA-në. Groenlanda është bërë drama e radhës europiane. Një territor formalisht nën mbretërinë e Danimarkës që Europa e kujtoi vetëm kur Trump e përmendi. Deri dje ishte akull, sot është “sovranitet”. Danimarka flet për dinjitet kombëtar, BE-ja për të drejtën ndërkombëtare, ndërsa asnjë nuk shpjegon pyetjen bazë, se kush e mbron realisht Groenlandën kur lojtarët e vërtetë zbresin në fushë? Europa sillet sikur po i merret një kopsht, jo një pikë kyçe strategjike globale. Dhe sillet kështu sepse nuk ka mësuar kurrë të mbrojë veten. Ka mësuar vetëm të besojë se dikush tjetër do ta bëjë për të. Pushtimi rus i Ukrainës e ka bërë të qartë se ambiciet e Putinit nuk kanë kufij dhe se megalomania cariste mbetet aktive. Në këtë kontekst, Trump duket se po përballet me liderët aleatë për çështjen e Groenlandës, duke u shfaqur njëkohësisht si kundërshtar i tyre politik, por në thelb si aleati më besnik i sigurisë perëndimore. Trump, me brutalitetin e tij karakteristik, po bën atë që Europa urren më shumë, po thotë të vërtetën pa dekor. Arktiku nuk fitohet me rezoluta. Nuk mbahet me parime. Nuk administrohet me komisione. Ai mbahet me prani, fuqi dhe vendimmarrje. Tre gjëra që Europa i ka lënë prej kohësh në duart e Uashingtonit. Kur Lavrov thotë se Groenlanda është produkt kolonial, Europa bën sikur skandalizohet. Kur Rusia pushton Ukrainën, Europa “shqetësohet”. Kur Kina zgjerohet, Europa “monitoron”. Dhe kur Trump flet, Europa “reagon fort”. Një kontinent i tërë që jeton në kohën e tashme vetëm përmes fjalëve. Europa është e zemëruar sepse Trump po e trajton si të barabartë me realitetin, jo me mitin që i pëlqen të tregojë vetes. Në mitin europian, BE-ja është fuqi globale. Në realitet, është një bashkësi që nuk arrin të mbrojë as periferitë e saj pa NATO-n, pra pa SHBA-në. Groenlanda është thjesht pasqyra. Trump nuk po e merr Europën seriozisht, sepse Europa nuk sillet seriozisht. Ajo flet për sovranitet, por nuk investon në mbrojtje. Flet për autonomi strategjike, por kërkon gjithmonë ombrellën amerikane. Flet për paqe, por shpreson që luftërat të ndodhin larg kufijve të saj. Ironia më e madhe? Europa po sillet sikur Trump po shkel rendin ndërkombëtar, ndërkohë që rendi ndërkombëtar ekziston vetëm sepse SHBA-ja ka paguar faturën për dekada. Tani që fatura po u shfaqet edhe europianëve, ata flasin për “sjellje të papërgjegjshme”. Groenlanda nuk do të humbasë sepse Trump është agresiv. Europa do ta humbasë sepse është pasive. Dhe kur kjo të ndodhë, Brukseli do të mbajë një samit urgjent për të shprehur “keqardhje të thellë” dhe për të riafirmuar “vlerat e përbashkëta”. Në fund, Europa nuk ka frikë nga Trump sepse Presidinti Trump është SHBA-ja e parimeve që nuk vdesin kurrë. Ka frikë nga pasqyra që ai po i mban përpara. Sepse në atë pasqyrë nuk shfaqet një superfuqi morale, por një kontinent i varur, i ngadalshëm dhe i paaftë të veprojë pa leje. Ka shumë gjasa që në të ardhmen Groenlanda të kalojë nën ombrellën dhe kujdesin e drejtpërdrejtë të SHBA-së, jo domosdoshmërisht përmes pushtimit klasik, por si garanci sigurie ndaj fuqive të mëdha që e shohin këtë territor si zonën më të lakmueshme të shekullit XXI, në aspektin gjeopolitik dhe gjeoekonomik. Dhe kjo është arsyeja pse Trump është problemi i Europës dhe jo sepse është i rrezikshëm, por sepse është i sinqertë në një botë që Europa do ta donte të mbetej gjithmonë diplomatike, edhe kur po i ikën toka nën këmbë.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
January 2026
Categories |
RSS Feed