|
Në Ballkan ka shumë mite, por pak janë kaq këmbëngulëse sa ajo e “dashurisë vëllazërore” mes grekëve dhe serbëve. Një lidhje që, sipas politikës, qenka e përjetshme, e shenjtë dhe e vulosur nga ikonat, historia dhe "lotët" e përbashkët. Problemi i vetëm është se kjo dashuri ekziston vetëm në fjalime, deklarata zyrtare dhe ndonjë pankartë folklorike.
Pra, narrativa e “dashurisë vëllazërore” mes grekëve dhe serbëve është një nga mitet më të përdorura të politikës ballkanike moderne. Ajo shitet si lidhje historike, fetare dhe kulturore, e ndërtuar mbi ortodoksinë dhe “vuajtjet e përbashkëta”. Me pak fjalë, vëllazëria” greko-serbe nuk është një ndjenjë popullore spontane. Ajo është një narrativë e ndërtuar politikisht, e ushqyer nga interesa gjeopolitike, nga kisha ortodokse dhe, në dekadat e fundit, veçanërisht nga e djathta ekstreme greke, e cila kërkon aleatë simbolikë në Ballkan për të justifikuar axhendën e saj nacionaliste dhe shpesh antishqiptare. Por sa herë kjo marrëdhënie testohet jashtë salloneve diplomatike, veçanërisht në sport , aty ku emocionet nuk kontrollohen nga protokolli dhe realiteti del krejt ndryshe. Sapo hyn në lojë realiteti, “vëllazëria” kthehet në grushta, karrige dhe gjak. Sporti, ky armik i madh i hipokrizisë, e ka demaskuar vazhdimisht këtë mit. Rasti emblemë mbetet finalja e turneut “Akropolis” në gusht 2010, një ndeshje e quajtur “miqësore” mes Greqisë dhe Serbisë, që u shndërrua në një skenë dhune të paprecedentë. Fjala miqësore zgjati saktësisht deri te momenti kur Milos Teodosiç i hodhi grusht kapitenit grek Antonis Fotsis. Që aty, parketi u shndërrua në ring boksi, ndërsa Nenad Krstiç vendosi të kontribuojë në “miqësi” duke goditur Giannis Bourousis në kokë me një karrige. Një gjest vëllazëror, pa dyshim. Por pamjet e kamerave zbuluan se "vëllazëria" u shndërrua në një skenë dhune të paprecedentë. Tifozët, të frymëzuar nga kjo atmosferë dashurie, iu bashkuan spektaklit duke hedhur sende drejt lojtarëve serbë. Rezultati? Ndeshja u ndërpre, turneu “Akropolis” u varros përgjithmonë dhe të gjithë u betuan se bëhej fjalë për “incidente të pabesueshme”. Jo për urrejtje, jo për tension të akumuluar, por thjesht keqkuptime mes vëllezërish sado që finalja e turneut “Akropolis”, një simbol i basketbollit europian, nuk u zhvillua më kurrë për të patur një fund "miqësor". Ky episod nuk ishte thjesht një “incident i izoluar”, siç u përpoqën ta paraqisnin mediat e dy vendeve. Ishte një moment zbulesë ku sapo u hoq etiketa e miqësisë formale, doli në pah mungesa totale e respektit dhe prania e një agresiviteti të akumuluar. Nëse do të ekzistonte vërtet një marrëdhënie “vëllazërore”, ai episod do të ishte kapërcyer. Por nuk u kapërcye kurrë, sepse problemi ishte më i thellë. Kaluan vitet, por vëllazëria nuk u pjek. Përkundraxi fundviti i 2025-ës në Novi Pazar, gjatë një ndeshjeje kickbox-i, sportisti grek Giannis Tsoukalas bëri gabimin fatal, fitoi ndeshjen. Si çdo fitues që respekton traditën e vëllazërisë greko-serbe, u shpërblye me rreth 100 persona që hynë në ring për ta rrahur barbarisht me grushte, shkelma dhe karrige, ndërsa policia vendosi të respektojë parimin e mosndërhyrjes në çështjet familjare. Madje, sipas dëshmive, në turmë qarkullonte edhe një thikë, sepse asgjë nuk thotë “dashuri vëllazërore” më shumë se armët e ftohta. E megjithatë, politika këmbëngul. Sidomos e djathta ekstreme greke, e cila vazhdon ta shesë këtë marrëdhënie si aleancë historike ortodokse, duke e përdorur Serbinë si simbol kundër “armiqve të përbashkët”, zakonisht shqiptarëve. Të njëjtën gjë bëjnë edhe serbët nacionalistë. Një narrativë e thjeshtë, komode dhe e dobishme për konsum të brendshëm, pavarësisht se realiteti e përgënjeshtron në çdo përballje reale. Ajo që ekziston realisht është një aleancë interesash politike, e ushqyer kryesisht nga elitat, e cila e lidh Serbinë me Greqinë përmes kishës ortodokse dhe një historie të përbashkët që shpesh përdoret në mënyrë selektive dhe me ngarkesë të theksuar antishqiptare. Në fund të fundit, kjo “dashuri” funksionon vetëm kur nuk ka konkurrencë, nuk ka fitues e humbës, dhe askush nuk prek krenarinë e tjetrit. Sapo ndizet loja, miti shembet si karrigia në kokën e Burusisit. Dhe sporti, edhe një herë, bën atë që politika urren më shumë, pra tregon të vërtetën. Popujt, ndryshe nga politika, nuk funksionojnë mbi deklarata dhe simbole. Ata reagojnë mbi emocione reale, rivalitete dhe komplekse të pashëruara. Dhe sa herë grekët dhe serbët përballen në kushte reale konkurruese, “vëllazëria” zhduket, duke lënë vend për konflikt, arrogancë dhe dhunë. Në fund, ajo që quhet sot “dashuri greko-serbe” është më shumë një konstrukt propagandistik sesa një realitet shoqëror. Sporti e ka demaskuar vazhdimisht këtë mit, duke treguar se pas retorikës fetare dhe historike fshihet një marrëdhënie e brishtë, e mbajtur gjallë vetëm për interesa politike dhe ideologjike. Sa herë maska bie, e vërteta shfaqet pa filtra dhe ajo nuk ka asgjë vëllazërore. Dhe pikërisht për këtë arsye, sa herë politika e shet këtë marrëdhënie si “historike dhe të shenjtë”, faktet në fushë, në ring dhe në tribuna e demaskojnë si një gënjeshtër të madhe, por të dobishme për disa. Pra, po, grekët dhe serbët janë “vëllezër”. Por si ata vëllezërit ballkanikë që buzëqeshin për foto familjare dhe rrihen sapo është mbyllur shkrepja e aparatit fotografik.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
January 2026
Categories |
RSS Feed