Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Vincent Pastore, siç e njoha unë

8/2/2026

0 Comments

 
Lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit të famshëm ishte tronditës për familjen e tij, kolegët dhe gjithë komunitetin e kinemasë botërore. Për mua ishte edhe një lajm që më riktheu shumë kujtime të bukura nga një periudhë e veçantë e jetës sime.

E njoha nga afër Vincent Pastoren në prill të vitit 2018, gjatë xhirimeve të filmit aksion-komedi/parodi "Made in Chinatown" në Filadelfia, ku isha pjesë e grupit të tij në rolin Italian Mobster #10. Të luaje përkrah një aktori që kishte lënë gjurmë në kinemanë amerikane me interpretime të paharrueshme në Goodfellas, Revolver, Shark Tale dhe, mbi të gjitha, në serialin legjendar The Sopranos, ishte një privilegj i madh dhe një përvojë që do ta kujtoj gjithmonë.

Që në ditën e parë të xhirimeve ai më pyeti për emrin tim. Duke qenë se pamja ime i ngjante shumë një italiani, më pyeti se nga cilat treva të Italisë isha. Me humor i thashë: “Jam nga trevat përtej detit”. Kur mësoi se isha shqiptar, menjëherë u afrua edhe më shumë me mua. Që nga ai moment filluam të bënim shumë shaka gjatë pushimeve mes skenave.

Gjarë dublave Vincenti mbante shpesh një shkop bejsbolli në dorë dhe, duke bërë shaka me rolin tim si “mafie e re”, më tregonte si ta mbaja dhe si të përballesha me rivalët kinezë në film. Por gjithmonë me humor më thoshte se- “Ti nuk e paske atë zemrën për të hyrë në sherre, por kur ju duhet ju shqiptarëve, ju dini të jeni trima”.

Kështu lindi një miqësi e bukur gjatë gjithë ditëve të xhirimeve në Filadelfia. Ishim krijuar si një skuadër ku ishin disa prej fytyrave më të njohura të kinemasë hollivudiane, aktorë që vinin nga universi i filmave si “The Godfather”, “Taxi Driver”, “A Bronx Tale” dhe “The Sopranos”.

Për mua, si shqiptari i vetëm në atë grup, ishte një emocion i jashtëzakonshëm.

Këta ishin filmat që më kishin shoqëruar që në rininë time. I kisha parë dhjetëra herë në ekran, i kisha admiruar personazhet dhe interpretimet e tyre, pa e imagjinuar kurrë se një ditë do të gjendesha në të njëjtin sheshxhirim, përkrah atyre aktorëve që kishin bërë historinë e filmave me mafien. Madje, për ironi të bukur të fatit, u bëra pjesë e "skuadrës së sherreve" të tyre. Ja që jeta di të të dhurojë surpriza që as fantazia nuk arrin t'i parashikojë.

Në filmat ku ata kanë interpretuar role mafiozësh, publiku i njeh si burra të ashpër, të ftohtë dhe të pamëshirshëm. Por kur i njeh nga afër, zbulon krejt të kundërtën. Njerëz të thjeshtë, të ngrohtë, me shumë humor, respekt për kolegët dhe një energji të jashtëzakonshme pozitive. Është pikërisht kjo anë njerëzore që nuk shfaqet në ekran, por që të mbetet gjatë në kujtesë. Për mua, ky ishte mësimi më i bukur nga ato ditë xhirimi në Filadelfia. Gjatë gjithë kohës pas skenave relaksoheshim, qeshnim dhe krijonim atmosferë familjare, sepse edhe vetë filmi ishte një parodi ku të qeshurat nuk mungonin asnjëherë.

Sot Vincent Pastore na la, por mbetet kujtimi i një aktori të madh dhe mbi të gjitha i një njeriu me zemër të madhe. Ai do të mbetet për mua jo vetëm aktori i madh që pashë në ekran, por edhe njeriu që më afroi, më bëri të qesh dhe më dha një nga ato momente të rralla kur një ëndërr e vjetër e një adoleshenti bëhet realitet.

Nga një djalë i Shkodrës së qytetit të kinemasë së famshme në Shqipëri, që i shikonte me admirim filmat e tyre në ekranin e madh, deri te dita kur u gjenda përkrah tyre në një sheshxhirim në Filadelfia. Ishte një ëndërr që u bë realitet dhe një kujtim që do ta ruaj me krenari për gjithë jetën.
​
U prehsh në paqe, Vincent!
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    August 2026
    July 2026
    June 2026
    May 2026
    April 2026
    March 2026
    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact