|
Një fitore që hyn në histori. Nju Jorku ka folur majtas. Për herë të parë në historinë e tij, qyteti më i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara do të drejtohet nga një mysliman dhe demokrat socialist. Emri i tij Zohran Mamdani, 34 vjeç, me origjinë nga Uganda, ka fituar zgjedhjet për kryebashkiak me 56% të votave, duke mposhtur ish-guvernatorin e fuqishëm Andrew Cuomo.
Në fjalimin e tij të parë si fitues, Mamdani u shpreh: “Kjo nuk është fitorja ime, por e çdo njujorkezi që beson se qyteti duhet të jetë i drejtë për të gjithë dhe jo vetëm për të pasurit.” Rezultati shënon një ndryshim epokal në politikën amerikane ku për herë të parë, qyteti i Wall Street-it, i pasurisë dhe elitave, zgjedh një përfaqësues të krahut të majtë që flet hapur për taksa progresive, transport publik falas dhe qira të përballueshme për të gjithë. Nga periferia e politikës Zohran Mamdani ngjitet në majën e qytetit të ëndrrave. Vetëm një vit më parë, pak kush e njihte emrin e tij. Sot Zohran Mamdani është bërë simbol i një brezi të ri progresist që sfidon establishmentin politik amerikan. Me mbi 90 mijë vullnetarë të angazhuar në fushatë dhe pjesëmarrje rekord prej mbi 3 milionë votuesish, ai arriti të mobilizojë qytetin si rrallë ndonjëherë më parë. Mamdani, që dikur merrej me hip-hop dhe punonte si konsulent për strehimin social, ka ditur ta përkthejë energjinë e rrugës në një program politik që i flet qytetarëve të zakonshëm. Ai është shndërruar në zërin e atyre që ndihen të lënë pas. Shumë shpejt u bë zëri më i fuqishëm i studentëve, punëtorëve, emigrantëve dhe i familjeve me të ardhura të ulëta. Pas fitores së tij ka shpërthyer Donald Trump duke e cilësuar: “Një komunist që do ta shkatërrojë qytetin”. Reagimi nga kampi republikan ishte menjëhershëm. Pesidenti Trump e quajti Mamdanin “një komunist të çmendur që do të rrënojë Nju Jorkun”, duke e akuzuar se “po i hap derën socializmit ekstrem në zemër të Amerikës”. Megjithatë nuk ka asnjë njoftim zyrtar për “sanksione federale” ndaj qytetit, siç përflitej gjatë fushatës. Komentet e Trump mbeten pjesë e strategjisë së tij për të forcuar bazën konservatore në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Në anën tjetër, mbështetësit e Mamdanit e shohin këtë reagim si provë se fitorja e tij ka kapërcyer kufijtë lokalë dhe është bërë simbol kombëtar i ndryshimit të brezave dhe ideve në SHBA. Një qytet që kërkon barazi është shprehur gjatë fushatës Zohran Mamdani. Programi i Mamdanit përfshin disa nga premtimet më ambicioze që ka parë ndonjëherë Nju Jorku, si ngrirje të qirave për banesat e stabilizuara, transport publik falas për studentët dhe punëtorët me të ardhura të ulëta, taksim të pasurisë për miliarderët dhe korporatat, si dhe investime masive në strehimin publik dhe energjinë e gjelbër. Ai ka premtuar se do të financojë këto nisma duke “taksuar pasurinë, jo punën”, një filozofi që përplaset direkt me interesat e elitave të biznesit të qytetit. Komuniteti shqiptar: mes kujtesës dhe brezit të ri Fitorja e Mamdanit ka hapur edhe një debat të gjallë brenda komunitetit shqiptar në Nju Jork, një nga më të mëdhenjtë në diasporën shqiptare. Kryebashkiaku në largim, Eric Adams, ishte një mik i hapur i shqiptarëve dhe shpesh merrte pjesë në aktivitetet e tyre. Me largimin e tij, komuniteti u gjend përballë një zgjedhjeje të vështirë. Nga njëra anë, Mamdani me vizionin e tij social dhe pro-emigrant dhe nga ana tjetër, Andrew Cuomo, i lidhur me kujtesën e stabilitetit dhe mbështetjes institucionale. Shumë shqiptarë më të moshuar kanë ruajtur qëndrime të afërta me komunitetin hebre, për shkak të marrëdhënieve historike mes dy popujve dhe qëndrimit pro-izraelit të Tiranës. Kjo e bëri fitoren e Mamdanit si një përkrahës i hapur i Palestinës, por që pritet me rezervë nga një pjesë e tyre. Edhe ish asamblisti shqiptar i shtetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj vazhdimisht në postimet e tij ka kërkuar mbështetjen ndaj Cuomos, i cili u pa si alternativa e vetme për ta mposhtur atë ,pas dështimit të kryebashkiakut të tanishëm Erik Adams që në zgjedhjet brenda partisë Demokratike. Gjithësesi Zohran Mamdani gjeti një mbështetje më të gjerë si një shpresëdhënës për ata që janë lënë në harresë. Dhe më shumë si asnjëherë është brezi i ri, i rritur me realitetin social të Nju Jorkut, e shikoi atë si një lider të afërt me vlerat e tyre i cili ju ofron barazi, përfshirje dhe drejtësi sociale. Për shqiptarët e këtij qyteti, kjo fitore është edhe një thirrje për reflektim, nëse duam të jemi pjesë e ndryshimit, duhet të njohim frymën e kohës dhe ta përqafojmë atë me guxim. Ardhja e një socialisti në krye të metropolit më të madh të botës shënon një epokë të re jo vetëm për Nju Jorkun por edhe një sinjal për kryeqendrat e tjera të mëdha ku pakënaqësia ndaj establishmentit vazhdimisht ka kërkuar për ndryshim. Fitorja e Zohran Mamdanit nuk është thjesht një rotacion politik por është një ndryshim epokal në mënyrën si qyteti më i madh i Amerikës e koncepton vetveten. Në një kohë kur 62% e të rinjve nën 30 vjeç e shohin socializmin si një ide pozitive, Nju Jorku i Mamdanit mund të bëhet laboratori i ri i politikës progresiste amerikane, është një ndryshim epokal në mënyrën si qyteti më i madh i Amerikës e koncepton vetveten.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
November 2025
Categories |
RSS Feed