|
Prej kohësh po zhvilloj xhirimet e një show-i tim të veçantë pilot, ende të palançuar, ku unë jam guida e turistëve elitarë që vijnë nga vende të ndryshme të botës për të vizituar dhe eksploruar Nju Jorkun, qytetin e ëndrrave që nuk fle kurrë.
Nuk është ky momenti për të folur gjatë për këtë projekt. Do të kem kohë ta bëj kur ai të jetë gati për t’u prezantuar. Por po e përmend për një arsye tjetër. Në këtë show, përveçse përpiqem të krijoj humor dhe momente spontane me të ftuarit e mi, si shqiptar kam edhe një mision të vogël personal, që t’u tregoj atyre një tjetër Shqipëri. Shqipërinë e bukur, mikpritëse, atë që shumë prej tyre nuk e kanë zbuluar ende. Kur biseda shkon te destinacionet turistike, unë u flas për jugun e Shqipërisë, për bregdetin e tij përrallor, për ujërat e kristalta dhe për atë që gjithnjë e më shumë po quhet “Maldivet e Europës”. Dhe reagimi i tyre më bën krenar. Shumë prej tyre më thonë se Shqipëria është tashmë në listën e destinacioneve që duan të vizitojnë. Madje disa më premtojnë se pas Nju Jorkut, udhëtimi i tyre i radhës mund të jetë pikërisht Shqipëria. Deri këtu, gjithçka është bukur, por formati i show-t tim ka shumë humor dhe batuta, dhe ndonjëherë më duhet të shpjegoj edhe diçka tjetër, atë imazhin jo fort të mirë që është krijuar për Shqipërinë jashtë vendit, sidomos për shkak të individëve dhe grupeve të lidhura me botën e krimit. Dhe kjo nuk është më thjesht një çështje imazhi, por është edhe një çështje sigurie. Muaj përpara ngjarjes së rëndë në Ksamil, gjatë një bisede me dy çifte simpatike nga Varshava, u përpoqa t’i qetësoja për këtë perceptim që ekziston jashtë vendit, sepse një krim i kryer nga individë të caktuar shpesh mjafton që ai të kthehet në një stereotip të padrejtë për një popull të tërë. U thashë me shaka:-“Mos u trembni nga imazhi i keq që kemi. Në Shqipëri do të gjeni njerëz bujarë dhe mikpritës. Të këqijtë tanë ua kemi sjellë atje, në Europë!” Plasi e qeshura, saqë njëra prej vajzave, për të ma kthyer me të njëjtën monedhë dhe për të ma lehtësuar bisedën, më tha: “E njëjta akuzë vlen edhe për polakët në sytë e britanikëve!” Qeshëm të gjithë me lot. Në atë moment ishte thjesht një batutë. Një mënyrë për të thyer akullin dhe për të mos e kthyer bisedën për Shqipërinë në një leksion mbi krimin dhe stereotipet. Por sot, pas asaj që ndodhi në Ksamil, ajo bisedë më është rikthyer në mendje. Sepse vrasja e një turisti portugez 20-vjeçar në Ksamil, në zemër të sezonit turistik, nuk mund të trajtohet vetëm si një ngjarje e rëndë kriminale. Ajo prek drejtpërdrejt atë që Shqipëria po përpiqet të ndërtojë, si imazhin e një destinacioni të sigurt, mikpritës dhe europian. Sipas raportimeve të deritanishme, viktima u godit me thikë dhe i dyshuari, një 29-vjeçar që punonte si roje sigurie, u arrestua pas arratisjes nga vendi i ngjarjes. Hetimi vijon për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe personat e përfshirë. Dhe pikërisht këtu humori mbaron. Sepse ajo që më shqetëson nuk është vetëm krimi në vetvete. Më shqetëson fakti që njerëzit që vijnë në Shqipëri për të pushuar, për të shijuar detin dhe bukuritë tona, mund të përballen me një realitet që nuk duhet të ekzistojë në një vend që pretendon se turizmi është një nga prioritetet e tij kombëtare. Një vend normal nuk mund t’ia lërë fatin e turizmit kapove të botës së krimit. Një vend që e ka turizmin prioritet kombëtar nuk mund të tolerojë që njerëz me para të pista të blejnë prona, biznese, hotele, resorte apo ndikim dhe pastaj të sillen sikur shteti nuk ekziston. Sepse problemi nuk është vetëm krimi. Problemi bëhet shumë më i madh kur krimi arrin të krijojë ndikim mbi politikën, institucionet dhe vendimmarrjen. Atëherë ligji ekziston në letër, por poshtë tij funksionon një botë tjetër. Një botë ku ligjet e shkruara nga shteti mund të përplasen me “ligjet” e të fortëve. Një botë ku paraja mund të blejë ndikim, ku vota mund të kthehet në mall dhe ku njerëzit që duhet të përfaqësojnë qytetarët mund të përfundojnë duke u shërbyer interesave të atyre që kanë para dhe pushtet. Dhe këtu fillon rreziku i vërtetë. Sepse shteti ligjor është i fortë vetëm kur ligji është më i fortë se paraja, pushteti dhe krimi. Në momentin që politika korruptohet dhe institucionet bëhen të kapshme, shteti fillon të humbasë autoritetin e tij. Mund të miratohen ligje më të ashpra, mund të shtohen dënimet dhe mund të bëhen deklarata të forta nga zyrat e shtetit. Por nëse në terren ekziston një strukturë e nëndheshme që komandon, blen dhe kërcënon, ligji mbetet vetëm një tekst në letër. Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë. Jo vetëm për imazhin e Shqipërisë, por për sigurinë e turistëve dhe për të ardhmen e një industrie nga e cila varen mijëra familje shqiptare. Sepse unë nuk dua t’u tregoj turistëve vetëm Shqipërinë e bukur në fotografi. Dua t’u tregoj Shqipërinë që meritojnë ta shohin. Dhe Shqipëria që meritojnë të shohin nuk është Shqipëria e krimit. Nuk është Shqipëria e kapove. Nuk është Shqipëria e parave të pista. Nuk është Shqipëria e politikanëve që mund të bëhen peng i interesave të njerëzve të fuqishëm. Shqipëria ime është ajo që e njoh prej fëmijërisë. Është Shqipëria e njerëzve të zakonshëm. E atyre që ndoshta nuk kanë hotel as resort. Nuk kanë mundësi të vendosin shezllone pranë brigjeve ekzotike. Ndoshta nuk kanë asgjë nga ato që sot maten me miliona. Por i kanë duart plot me prodhimet e tyre dhe zemrën plot me bujari. Shqiptarët e mirë janë aty, në shtëpitë e tyre, në rrugët e fshatrave dhe qyteteve. Në tregjet ku shesin prodhimet e tokës së tyre. Dhe jam i bindur se po t’u trokasësh në derë, jo vetëm që do ta gjesh të hapur, por do të gjesh edhe zemrën e tyre. Sepse në traditën e shqiptarit, shtëpia nuk është vetëm e të zotit por është e Zotit dhe e mikut. Dhe për mikun, shpesh nuk ka rëndësi nëse është i ftuar apo i paftuar. Kjo është Shqipëria që unë dua t’u tregoj turistëve. Shqipërinë që ka detin e kaltër, malet, historinë, ushqimin dhe bukuritë që mund ta bëjnë një destinacion të jashtëzakonshëm europian. Por mbi të gjitha, Shqipërinë e njerëzve të mirë. Sepse Shqipëria nuk duhet të gjykohet nga ata që e kanë kthyer krimin në biznes dhe paranë e pistë në pushtet. Shqipëria duhet të njihet nga ata që, edhe pa pasur miliona, vazhdojnë ta mbajnë derën dhe zemrën hapur për mikun.
0 Comments
Një shqiptar, një grek dhe një sanduiç… Historia më e bukur që mora me vete nga "One Night Only"8/7/2026 Kanë mbetur vetëm pak orë nga premiera botërore e komedisë romantike "One Night Only", një prodhim i Universal Studios, e cila do të nisë rrugëtimin e saj në kinematë e mbarë botës sot , më 7 gusht. Këtë herë nuk dua të shkruaj për filmin, por për një njeri që e bëri atë eksperiencë edhe më të bukur, për kolegun tim, Roberton.
Roberto është shtetas amerikan, me baba grek nga Selaniku dhe nënë braziliane. Por, që në momentin e parë që u takuam në sheshxhirim, pata ndjesinë sikur njiheshim prej kohësh. Ata që kanë jetuar emigracionin shqiptar në Greqinë e viteve '90 e kuptojnë mirë se përtej historisë, politikës apo paragjykimeve, ekzistonte diçka më e fortë, ajo që quhet afërsia njerëzore. Mjaftonte një shikim për të kuptuar se përballë kishe një njeri të rritur me të njëjtën kulturë mesdhetare, me të njëjtin temperament, me të njëjtën mënyrë të të qeshurit, të të folurit e të respektuarit. Unë kam jetuar vite të rëndësishme në Greqi. Atje u formova si student dhe më pas si gazetar. Kam punuar me dhjetëra kolegë grekë dhe, pa asnjë hezitim, mund të them se shumica dërrmuese e tyre më trajtuan si të barabartë. Kur dikush përpiqej të cenonte dinjitetin tim vetëm pse isha shqiptar, ata ishin të parët që reagonin. Nuk luftonin vetëm për mua, por për të mbrojtur fytyrën e një shoqërie që kishte zgjedhur të jetonte me respekt dhe jo me urrejtje. Një pjesë e rrugëtimit tim i detyrohet edhe atyre. Prandaj, kur them se Roberto më kujton ata njerëz, nuk është kompliment i vogël, përkundrazi shumë më tepër. Babai i tij i ndjerë selanikas besonte se fqinjësia nuk është thjesht çështje gjeografie, por është karakter, madje është detyrim moral për t'i qëndruar pranë tjetrit kur ai ka nevojë. Me këtë filozofi u rrit edhe Roberto, i cili, megjithëse lindi në Shtetet e Bashkuara, u edukua në Greqi deri në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, duke besuar se kjo botë është mjaftueshëm e madhe për të gjithë. Në "One Night Only", regjizori Will Gluck na besoi rolet e dy bartenderëve. Nuk e di nëse ishte rastësi apo intuitë artistike, por më dukej sikur ai kishte zgjedhur dy njerëz që e njihnin mirë shpirtin e Mesdheut. Sepse kush më mirë se një shqiptar dhe një grek e di se çfarë do të thotë të jetosh netët që zgjasin deri në agim, me muzikën që nuk pushon kurrë, bisedat që vazhdojnë deri në lindjen e diellit dhe një atmosferë ku romantizmi ka gjithmonë notat e tij më të bukura. Në film, ne kishim misionin t'u shërbenim qindra klientëve gjatë natës më të rëndësishme të vitit, natës magjike të 7 gushtit, kur secili ka vetëm një mundësi për të takuar njeriun që mund t'i ndryshojë jetën përgjithmonë. Sigurisht, ne nuk jemi yjet e filmit. Ata janë Callum Turner dhe Monica Barbaro, të cilët mbajnë mbi supe historinë e kësaj komedie romantike. Por jam i bindur se Roberto dhe unë do të mbahemi mend si dy bartenderët e barit legjendar Dante të "One Night Only", si dy fqinj mesdhetar nga pas banakut, që u shërbyen me të njëjtin përkushtim qindra personazheve gjatë natës më të rëndësishme të jetës së tyre. Edhe jashtë kamerës gjithçka funksiononte në mënyrë perfekte. Nuk kishim nevojë të flisnim. Mjaftonte një shikim, ku njëri merrte shishet, tjetri gotat. Pra, ritmi ishte i njëjtë. Ndoshta sepse të dy kishim punuar bartender edhe në jetën reale dhe e dinim mirë çfarë do të thotë të punosh nën presion. Por kujtimi që nuk do ta harroj kurrë ndodhi larg kamerave. Ishte ende pesë e mëngjesit kur shkuam në zonën e ushqimit të produksionit. Roberto, si gjithmonë, më la të kaloja përpara në radhë. Mora dy sanduiçë me bejkon, avokado dhe të bardhën e vezes. As sot nuk e di pse mora dy, kur zakonisht marr vetëm një. Sapo u largova nga banaku, i erdhi radha e Robertos. Në atë çast, përgjegjësi i kuzhinës mori urdhër të ndërpriste menjëherë shpërndarjen e ushqimit. Të gjithë aktorët duhej të paraqiteshin në garderobë dhe grim. Rregullat në një produksion të tillë nuk bëjnë përjashtime. Roberto mbeti pa vaktin e parë. E pashë në fytyrë zhgënjimin e tij. U përpoq të shpjegonte se kishte pritur në radhë, por askush nuk mund të ndryshonte vendimin. U kthye pranë meje, pa thënë asnjë fjalë, por unë i zgjata njërin nga sanduiçët. Ai më pa i habitur. Atëherë, duke buzëqeshur, i thashë në greqisht:- «Πάντα ο Έλληνας έχει τον Αλβανό τοu για να σωθεί.» ("Gjithmonë greku e ka shqiptarin e tij për ta shpëtuar.") Për disa sekonda më pa në sy, pastaj shpërtheu në të qeshura. Qeshi aq shumë, sa harroi urinë, harroi mërzitjen dhe harroi padrejtësinë e atij momenti. Në greqisht i tingëlloi aq bukur sa vazhdonte të qeshte me lot. Duke më përqafuar si dy shokë të pandarë- më thotë - "Prandaj besoj se ne, grekët dhe shqiptarët, nuk mund të bëjmë pa njëri-tjetrin. Zoti e ka ditur mirë pse na ka lënë fqinj të përjetshëm." Ndoshta kjo është arsyeja pse arti është kaq i bukur. Sepse në fund nuk mbeten rolet, kamerat apo dritat, por mbesin njerëzit, mbesin miqësitë. Pra, mbeten ato gjeste të vogla që vlejnë më shumë se çdo dialog filmi. Gjithsesi, historitë me Roberton janë të shumta dhe jam i bindur se koha do të na japë rastin t'i ndajmë edhe ato. Por tani, që nga sot, ia lëmë radhën "One Night Only". Shihemi në kinema, aty ku historia do të marrë jetë dhe do t'u dhurojë adhuruesve të filmit një natë plot humor, romantizëm dhe emocione. Sepse ndonjëherë historitë më të bukura nuk shkruhen në skenar. Ato lindin prapa kamerës, në ato çaste të vogla njerëzore që nuk i sheh publiku, por që aktorët i marrin me vete përgjithmonë. Lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit të famshëm ishte tronditës për familjen e tij, kolegët dhe gjithë komunitetin e kinemasë botërore. Për mua ishte edhe një lajm që më riktheu shumë kujtime të bukura nga një periudhë e veçantë e jetës sime.
E njoha nga afër Vincent Pastoren në prill të vitit 2018, gjatë xhirimeve të filmit aksion-komedi/parodi "Made in Chinatown" në Filadelfia, ku isha pjesë e grupit të tij në rolin Italian Mobster #10. Të luaje përkrah një aktori që kishte lënë gjurmë në kinemanë amerikane me interpretime të paharrueshme në Goodfellas, Revolver, Shark Tale dhe, mbi të gjitha, në serialin legjendar The Sopranos, ishte një privilegj i madh dhe një përvojë që do ta kujtoj gjithmonë. Që në ditën e parë të xhirimeve ai më pyeti për emrin tim. Duke qenë se pamja ime i ngjante shumë një italiani, më pyeti se nga cilat treva të Italisë isha. Me humor i thashë: “Jam nga trevat përtej detit”. Kur mësoi se isha shqiptar, menjëherë u afrua edhe më shumë me mua. Që nga ai moment filluam të bënim shumë shaka gjatë pushimeve mes skenave. Gjarë dublave Vincenti mbante shpesh një shkop bejsbolli në dorë dhe, duke bërë shaka me rolin tim si “mafie e re”, më tregonte si ta mbaja dhe si të përballesha me rivalët kinezë në film. Por gjithmonë me humor më thoshte se- “Ti nuk e paske atë zemrën për të hyrë në sherre, por kur ju duhet ju shqiptarëve, ju dini të jeni trima”. Kështu lindi një miqësi e bukur gjatë gjithë ditëve të xhirimeve në Filadelfia. Ishim krijuar si një skuadër ku ishin disa prej fytyrave më të njohura të kinemasë hollivudiane, aktorë që vinin nga universi i filmave si “The Godfather”, “Taxi Driver”, “A Bronx Tale” dhe “The Sopranos”. Për mua, si shqiptari i vetëm në atë grup, ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Këta ishin filmat që më kishin shoqëruar që në rininë time. I kisha parë dhjetëra herë në ekran, i kisha admiruar personazhet dhe interpretimet e tyre, pa e imagjinuar kurrë se një ditë do të gjendesha në të njëjtin sheshxhirim, përkrah atyre aktorëve që kishin bërë historinë e filmave me mafien. Madje, për ironi të bukur të fatit, u bëra pjesë e "skuadrës së sherreve" të tyre. Ja që jeta di të të dhurojë surpriza që as fantazia nuk arrin t'i parashikojë. Në filmat ku ata kanë interpretuar role mafiozësh, publiku i njeh si burra të ashpër, të ftohtë dhe të pamëshirshëm. Por kur i njeh nga afër, zbulon krejt të kundërtën. Njerëz të thjeshtë, të ngrohtë, me shumë humor, respekt për kolegët dhe një energji të jashtëzakonshme pozitive. Është pikërisht kjo anë njerëzore që nuk shfaqet në ekran, por që të mbetet gjatë në kujtesë. Për mua, ky ishte mësimi më i bukur nga ato ditë xhirimi në Filadelfia. Gjatë gjithë kohës pas skenave relaksoheshim, qeshnim dhe krijonim atmosferë familjare, sepse edhe vetë filmi ishte një parodi ku të qeshurat nuk mungonin asnjëherë. Sot Vincent Pastore na la, por mbetet kujtimi i një aktori të madh dhe mbi të gjitha i një njeriu me zemër të madhe. Ai do të mbetet për mua jo vetëm aktori i madh që pashë në ekran, por edhe njeriu që më afroi, më bëri të qesh dhe më dha një nga ato momente të rralla kur një ëndërr e vjetër e një adoleshenti bëhet realitet. Nga një djalë i Shkodrës së qytetit të kinemasë së famshme në Shqipëri, që i shikonte me admirim filmat e tyre në ekranin e madh, deri te dita kur u gjenda përkrah tyre në një sheshxhirim në Filadelfia. Ishte një ëndërr që u bë realitet dhe një kujtim që do ta ruaj me krenari për gjithë jetën. U prehsh në paqe, Vincent! Mbrëmë pashë Edi Ramën në ëndërr. Nuk është se më ndodh shpesh ta shoh, por këtë herë ishte krejt ndryshe.
Brenda ëndrrës ia tregova edhe tim eti, ndonëse ai ka 21 vjet që nuk jeton më. Kur i thashë se do ta shkruaja dhe do ta publikoja, pashë sytë e tij të shkëlqenin. Ai kishte besuar gjithmonë te shkrimet e mia. Jeta e tij u ndërpre pikërisht në vitin kur socialistët humbën pushtetin, ndërsa Edi Rama vazhdonte të ndërtonte profilin e tij si kryebashkiak i Tiranës. Im atë nuk e jetoi rrugëtimin e Edi Ramës nga kryebashkiak në kryetar të Partisë Socialiste e më pas në kryeministër. Ndoshta, po ta kishte jetuar, sytë nuk do t'i shkëlqenin njësoj. Për të, Edi Rama mbeti ai kryebashkiak që po transformonte Tiranën, një sukses i rrallë i një pushtetari lokal në një Shqipëri të zhytur në kaosin e tranzicionit. Ai nuk pati mundësi të shihte pjesën tjetër të historisë. Ndoshta pikërisht për këtë arsye, në atë ëndërr, m'u desh ta vazhdoja unë rrëfimin. Të flisja për Edi Ramën e viteve në pushtet, për Shqipërinë që ai premtoi se do ta transformonte dhe për zhgënjimet që, sipas meje, u grumbulluan gjatë rrugës, për një administratë që shpesh është shoqëruar me akuza, skandale dhe humbje të besimit të qytetarëve. Kështu u gjenda në një takim të madh të kryeministrit me elektoratin e tij. Në jetën reale nuk kam qenë kurrë nga ata gazetarë që ndjekin politikanët pas. Nuk më ka pëlqyer kurrë. Por ëndrrat nuk të pyesin. Ato të vendosin përballë njerëzve dhe fjalëve që ndoshta i ke mbajtur brenda për vite me radhë. Mora mikrofonin për të folur. Fillimisht nuk donte të ma jepte fjalën, sepse isha gazetar. Kur i thashë se isha biri i një socialisti të orëve të para, u qetësua dhe më lejoi. Në jetën reale nuk jam orator. Ndihem shumë më i fortë me penën sesa me fjalën. Por ëndrrat kanë ligjet e tyre. Sapo mora mikrofonin, fjalët nisën të më rridhnin si një lumë që kishte vite i bllokuar. Nuk kërkoja duartrokitje dhe as miratim. Thosha gjithçka që kisha mbajtur brenda, pa u ndalur, pa u lëkundur dhe pa lënë asnjë mendim përgjysmë. Ishte një nga ato çaste të rralla kur njeriu arrin të thotë pikërisht atë që mendon, ashtu siç do të donte ta kishte thënë gjithmonë. "Po," i thashë, "jam biri i një socialisti që shumë veta e braktisën, ashtu siç u braktis ai brez idealistësh që e mbajtën gjallë Partinë Socialiste në ditët e saj më të vështira. Im atë pranoi gjithçka. Pranoi edhe përbuzjen dhe bullizmin e kohës, vetëm sepse mbante mbi supe një damkë që nuk ishte vetëm e tij, por e qindra mijëra shqiptarëve të tjerë që kishin pasur tesera partie dhe që, pas ndryshimit të sistemit, u gjykuan jo për atë që ishin si njerëz, por vetëm nga e kaluara e tyre politike. Shumë prej tyre ishin njerëz të thjeshtë, idealistë, punëtorë e familjarë që besonin në atë që kishin zgjedhur. Por në vitet e para të tranzicionit, kjo shpesh u kthye në një barrë që duhej ta mbanin në heshtje." Kur nisa të flisja për tim atë, për njeriun që nuk jeton më dhe që sakrifikoi gjithçka për ta mbajtur në këmbë partinë, edhe njerëzit që pak çaste më parë brohorisnin, heshtën. Më dëgjonin me vëmendje. I vetmi që nuk e mbante vendi ishte Edi Rama. Përpiqej vazhdimisht të më ndërpriste. Atëherë e pashë në sy dhe ia thashë troç. "E di çfarë më dhemb më shumë? Se unë nuk lashë gur pa lëvizur për të të mbështetur në fillimet e tua. Me miqtë e mi, gazetarë të elitës greke, bëra ç'ishte e mundur që të shkruheshin artikuj pozitivë për ty. U mundësuan edhe intervista ekskluzive, sepse besoja se Shqipërisë i duhej një brez i ri drejtuesish. Atëherë beteja jote më e madhe ishte brenda Partisë Socialiste. Përballë kishe Fatos Nanon, një figurë që dukej e pathyeshme. Besova se ndryshimi do të vinte vetëm nëse ti do ta fitoje atë betejë. Më pas erdhi përballja me Sali Berishën, i cili e kishte blinduar pushtetin dhe dukej pothuajse i pamundur për t'u mundur. Edhe atëherë besova se ti mund ta ndryshoje Shqipërinë. Nuk e bëra sepse isha adhuruesi yt. E bëra sepse besoja se njeriu që po transformonte Tiranën mund të transformonte edhe Shqipërinë." Pastaj vazhdova të flisja. Mikrofonin e mbaja fort, por e ndjeja dorën të më dridhej. Nuk ishte frikë. Ishte pesha e fjalëve që kisha mbajtur brenda për vite. Pashë se i shqetësuar nuk ishte vetëm Edi Rama. Po aq të trazuar ishin edhe mbështetësit e tij më të zjarrtë. Nuk donin që, qoftë edhe për një çast, të vihej në diskutim lideri i tyre. Për ta, Edi Rama është garancia e vetme e pushtetit. I mirë apo i keq, ata besojnë se Partia Socialiste nuk ka sot një figurë tjetër që mund të përballet me të djathtën, aq më tepër kur ajo vazhdon të mbetet e përçarë dhe e lidhur me hijen e liderit të saj historik. Por unë vazhdoja t'ia thosha të gjitha në sy. Ishte një mundësi që ma kishte dhënë vetëm ëndrra dhe nuk kisha ndërmend ta humbisja. Ndoshta në jetën reale nuk do ta kisha kurrë atë rast. Prandaj çdo fjalë që dilte nga goja ime ishte një borxh ndaj vetes, ndaj tim eti dhe ndaj të gjithë atyre që dikur besuan se politika mund të ndërtohej mbi idealin e jo vetëm mbi pushtetin. Nuk të kam njohur kurrë nga afër, megjithëse një herë në Athinë Blendi Klosi ta përmendi emrin tim. Por siç duket, një gazetar nuk ishte aq interesant për ty. Po të isha një kampion bote apo një emër me famë ndërkombëtare, jam i bindur se do të më kërkoje vetë, sepse politika gjithmonë kërkon të jetë pranë suksesit. Dhe më pas i thashë atë që kisha mbajtur brenda prej vitesh. "Shqipëria që unë besoja se do të ndërtoje nuk është kjo që shoh sot. Besova se do të ndërtoje një shtet ku do të mbizotëronte meritokracia, drejtësia dhe përgjegjësia. Në vend të kësaj, shumë institucione janë bërë simbol i keqmenaxhimit. Shpesh janë ngritur akuza dhe dyshime për korrupsion ndaj drejtuesve të ndryshëm, ndërsa qytetarët kanë humbur besimin te shteti. Edhe kur përgjegjësia është individuale, përgjegjësia politike mbetet e atij që ndërton dhe drejton sistemin." Më pas iu ktheva sërish bisedës për tim atë dhe për ata socialistë të vërtetë që e ndërtuan partinë me sakrifica, jo me privilegje. Shumë prej tyre nuk jetojnë më. Megjithatë, rrallëherë gjejnë një vend në kujtesën e drejtuesve të sotëm. Në përvjetorë e kremtime, shpesh duket sikur ka më shumë vend për ceremoni, përshëndetje dhe bankete sesa për të nderuar ata që paguan çmimin më të lartë për idealin e tyre. "E di pse po ta them këtë?" – iu drejtova me një mllef liderit pasues të Fatos Nanos. "Sepse Fatos Nano e dinte se isha biri i Prend Cakës, një idealisti të ndershëm, themelues dhe drejtues i socialistëve të Vaudejësit, një njeri që nuk u përkul kurrë përballë presioneve politike. Në ato vite, të deklaroheshe socialist ishte pothuajse një damkë. Megjithatë, ai nuk u tërhoq asnjëherë. Nano e dinte, edhe nga qelia, se im atë, bashkë me Namik Doklen dhe kandidatët e tjerë socialistë, pasi iu vodhën votat, hynë në grevën e urisë duke rrezikuar edhe jetën për të mbrojtur votën dhe dinjitetin e socialistëve. Ata nuk luftuan për poste, privilegje apo karriera. Luftuan për një ideal. Prandaj dhemb kur sheh se shumë prej atyre njerëzve janë lënë në harresë. Ata që hodhën themelet e partisë nuk kërkuan asgjë për vete, ndërsa sot emrat e tyre mezi përmenden. Një parti që nuk respekton kujtesën e njerëzve që e ngritën në këmbë, rrezikon të humbasë edhe kujtesën e vet. Por njerëz si im atë u harruan. U harruan nga kundërshtarët dhe, fatkeqësisht, u harruan edhe nga të vetët." Kur mbarova së foluri, mbi atë shesh kishte rënë një heshtje e plotë. Për herë të parë, askush nuk brohoriste. Askush nuk duartrokiste. Ishte ajo heshtje që lind kur përballesh me të vërteta që nuk do t'i dëgjosh. Edhe Edi Rama heshti. Në atë çast m'u duk se nuk ishte zhveshur nga veshjet e tij plot ngjyra, por nga maska politike me të cilën, sipas meje, për vite me radhë u është paraqitur socialistëve të vërtetë. Sepse ata që sakrifikuan, që u përballën me përndjekje, me përbuzje, me greva urie dhe me vite të tëra opozite, mbetën në harresë. Ndërsa përfituan shumë të tjerë, njerëz që nuk ndanë as vuajtjet, as idealet dhe as historinë e asaj partie, por që sot gëzojnë privilegjet e pushtetit. Në atë heshtje nuk pashë vetëm fytyrën e një kryeministri. Pashë fytyrën e një brezi idealistësh që prisnin të mos harroheshin kurrë. Dhe pikërisht atëherë kuptova se ëndrra ime nuk ishte një gjyq ndaj një njeriu të vetëm. Ishte një thirrje që historia të mos shkruhet vetëm nga fitimtarët e pushtetit, por edhe nga ata që e ndërtuan atë me sakrifica dhe që më pas u lanë në harresë. Atëherë u zgjova dhe kuptova se ajo nuk ishte thjesht një ëndërr për Edi Ramën. Ishte një ëndërr për një brez njerëzish që besuan se politika mund të ndërtohej mbi sakrificën, ndershmërinë dhe idealin. Ishte një bisedë e pambyllur me tim atë dhe një kujtesë se pushteti kalon, por sakrificat e njerëzve të ndershëm nuk duhet të harrohen kurrë. Në industrinë e filmave hollivudian nuk ka rëndësi nga vjen, por sa i besueshëm dukesh në ekran. Këtë e kam kuptuar më mirë se askush tjetër falë mikut tim italo-amerikan, Domenico Del Giacco.
Nëse do të më duhej të përshkruaja me pak fjalë Domenico Del Giaccon, do të thosha se është një njeri që kudo reflekton edukatë, përulësi dhe fisnikëri. Është nga ata njerëz që nuk kanë nevojë të flasin shumë për të fituar respektin e të tjerëve, sepse mënyra si komunikon, si sillet dhe si respekton çdo koleg mjafton që ta bëjë të veçantë. Domenico është një italo-amerikan i lindur në Queens të New York-ut, në një familje me rrënjë të thella napolitane. Krenohet me origjinën e tij dhe nuk e fsheh kurrë dashurinë për Italinë. Por ajo që më ka bërë gjithmonë përshtypje është respekti i jashtëzakonshëm që ai ka për shqiptarët. Sa herë kemi biseduar për Shqipërinë, ai është shprehur me një sinqeritet që rrallë e gjen tek njerëzit që nuk kanë lidhje gjaku me vendin tonë. Sipas tij, shqiptarët dallohen nga tre virtyte që sot janë bërë gjithnjë e më të rrallë në botë, si burrëria, besnikëria dhe aftësia për të dhënë dashuri e respekt pa kushte. Janë pikërisht këto vlera që krijuan edhe miqësinë tonë, një miqësi që ka mbijetuar ndër vite mes qindra ditëve të xhirimeve, audicioneve dhe sfidave të një industrie ku jo gjithmonë është e lehtë të gjesh njerëz të sinqertë. Në karrierën time kam kaluar më shumë se 3,000 ditë në sheshxhirime filmash dhe serialesh. Kam interpretuar dhjetëra personazhe dhe kam bashkëpunuar me qindra aktorë nga vende të ndryshme të botës. Megjithatë, me Domenicon kam ndarë ndoshta më shumë sete filmike se me çdo koleg tjetër. Kemi interpretuar personazhe të ndryshëm, por shpeshherë rolet tona lidhen me identitetin dhe origjinën e vendeve tona. Audicionet kanë qenë ato që shpesh kanë ndarë rrugët tona profesionale. Ka pasur raste kur konkurronim për të njëjtin rol dhe secili priste me ankth vendimin e drejtorit të kastingut. Ironia më e madhe ndodhte kur paraqiteshim për role mafiozësh apo gangsterësh italianë. Logjika të thotë se një italian me origjinë napolitane do të ishte zgjedhja më e natyrshme. Por jo gjithmonë ndodh kështu. Në disa raste, regjisorët zgjidhnin mua dhe jo Domenicon. Ai, një italian "24 karatësh", mbetej jashtë, ndërsa unë interpretoja personazhin italian. Kjo ishte gjithmonë arsye për të qeshur mes nesh. Unë i thosha me humor se ndoshta shqiptarët ngjajnë më shumë me sicilianët, ndërsa ai përgjigjej se kjo mund të vlente për italianët e veriut, por jo për napolitanët. E vërteta është shumë më e thjeshtë. Domenico ka një fytyrë të qetë, të butë dhe fisnike, larg stereotipit të ashpër që kërkojnë shpesh regjisorët për figurën e mafiozit. Hollywood-i nuk zgjedh gjithmonë sipas kombësisë apo miqësisë, zgjedh sipas pamjes që i shërben historisë. Në ekran nuk ka rëndësi pasaporta, por besueshmëria vizuale. Pikërisht kjo është një nga mësimet më të mëdha që të jep aktrimi. Nga ana tjetër, kemi interpretuar edhe shumë role pozitive. Agjentë të FBI-së, detektivë, avokatë, gjyqtarë, biznesmenë e zyrtarë. Personazhe që kërkojnë qetësi, seriozitet dhe autoritet, cilësi që të dy përpiqemi t'i përcjellim me profesionalizëm. Ajo që nuk ndryshon kurrë është respekti i Domenicos për shqiptarët. Sa herë takohemi, ai mundohet të më përshëndesë në shqip. Ndonjëherë e shqipton me theks italian, por pikërisht kjo e bën edhe më të bukur. Është mënyra e tij për të treguar se Shqipëria nuk është thjesht vendi i mikut të tij, por një vend që ai e respekton dhe e vlerëson. Sigurisht, si çdo miqësi e mirë, edhe e jona ka "përplasjet" e saj. Konflikti ynë i vetëm lidhet me futbollin. Domenico është një napolitan i pandreqshëm. Për të, Napoli nuk është thjesht një skuadër futbolli, por identitet, krenari dhe histori. Nuk dëshiron t'i flasësh për Milanin, skuadrën që unë e kam mbështetur prej vitesh. Debatet tona janë gjithmonë plot humor dhe respekt. Kur biseda shkon te Diego Armando Maradona, Domenico ndryshon krejtësisht. Në sytë e tij lexohet adhurimi. Për të, Maradona nuk ishte vetëm futbollisti më i madh që ka veshur fanellën e Napolit, por një figurë hyjnore që ndryshoi historinë e qytetit dhe të futbollit italian. Natyrisht, si një italian i lindur në Shtetet e Bashkuara, ai mbështet me krenari kombëtaren italiane, Azzurrët, simbolin që bashkon italianët në mbarë botën. Por ka një moment kur zemra e tij ndahet. Kur Shqipëria zbret në fushë kundër çdo kundërshtari tjetër, Domenico bëhet tifoz i kuqezinjve. Me dy duart formon shqiponjën dykrenare dhe buzëqesh sikur të ishte një shqiptar mes shqiptarëve. Në një industri ku konkurrenca është e ashpër dhe interesi personal shpesh vjen para miqësisë, njohja me Domenico Del Giaccon është një nga ato dhurata që të kujton se mbi çdo rol, mbi çdo kontratë dhe mbi çdo sukses profesional, mbetet njeriu. Sepse karriera ndërtohet me punë, por respekti fitohet me karakter. Dhe Domenico Del Giacco është një nga ata njerëz që e ka fituar këtë respekt kudo ku ka shkelur. Kanë kaluar 10 vjet pa një nga gazetarët më të mirë sportivë shqiptarë, Ramadan Bigza. Një penë që i mungon jo vetëm sportit shqiptar, por edhe komunitetit të emigrantëve shqiptarë në Greqi.
E njoha në vitet e para të tranzicionit, kur unë isha ende student, ndërsa ai, së bashku me kolegun Kolec Traboini, sapo kishin themeluar gazetën e parë të shqiptarëve në Greqi, "Emigranti". Ishin vite të vështira, kur dinjiteti i shqiptarëve përballej çdo ditë me paragjykime dhe sfida. Falë penës së Danit, Kolec Traboinit dhe gjithë stafit të gazetës, u mbajt gjallë krenaria dhe zëri i shqiptarëve në Greqi. Nuk do ta harroj kurrë kulturën dhe fisnikërinë e tij shkodrane. Sa herë që ngrija telefonin, më përshëndeste me humorin e tij karakteristik: "Nadja mirë, kuadër!" Pastaj nuk mungonin kurrë këshillat e vyera për gazetarinë, në një kohë kur unë po hidhja hapat e parë në këtë profesion. Ai i përkiste atij brezi gazetarësh që kishin sakrifikuar shumë gjatë periudhës moniste. Nuk kishte sportist shkodran, por edhe në rang kombëtar, që të mos e njihte Ramadan Bigzën. Me penën e tij ai përjetësonte sukseset e sportistëve, duke ua përcjellë lexuesve emocionin e fitoreve, rekordeve dhe krenarisë kombëtare. Vllaznia ishte shpirti i tij. Nuk kishte bisedë ku të mos përmendej skuadra e zemrës. Nga brezi i Ramazan Rragamit e Din Zhegës e deri te futbollistët e brezave më të rinj, të gjithë janë pasqyruar me mjeshtëri nga pena e Ramadan Bigzës. Ai nuk shkruante thjesht për ndeshjet apo rezultatet, por ai shkruante edhe për njerëzit, karakterin, sakrificën dhe emocionin që fshihej pas çdo suksesi. Ishte mik me shumë prej futbollistëve shqiptarë që shkëlqyen në kampionatin grek në vitet '90, si Foto Strakosha, Bledar Kola, Edvin Murati, Salvador Kaçaj, Arjan Bellaj, Agustin Kola e shumë të tjerë. Intervistat e tij ishin ndër më të lexuarat nga shqiptarët e Athinës. Të gjithë e njihnin Danin dhe shpesh thoshin: "Lum ai që e kap pena e Danit, se vetëm ai di me ta qëndisë shkrimin." Dhe ishte e vërtetë. Ai kishte dhuntinë t'i kthente faktet në rrëfime, emocionet në fjalë dhe sportistët në personazhe që mbeteshin gjatë në kujtesën e lexuesit. Më pas u bë kryeredaktor i "Gazeta e Athinës" duke pasqyruar me përkushtim problemet dhe jetën e komunitetit shqiptar. Të njëjtin profesionalizëm e tregoi edhe te gazeta "Albania", të cilën e ngriti në një standard të ri, duke e bërë gazetën më të lexuar dhe më të respektuar të shqiptarëve në Greqi. Për shumë vite fundjavat na bashkonin te kafeneja Benetti në Omonia, një oaz ku diskutonim hallet dhe sfidat e komunitetit tonë. Në ato takime mbizotëronte fryma e atdhedashurisë, përkushtimit dhe dëshira për të ndihmuar bashkatdhetarët, pa bërë kurrë llogari për koston. Thonë se miqtë e vërtetë njihen edhe kur largohesh. Marrëdhënia jonë vazhdoi edhe pasi unë emigrova në Shtetet e Bashkuara. Flisnim shpesh dhe ai më përsëriste gjithmonë:-"Mos e lër gazetarinë, sado e vështirë dhe me sakrifica të jetë." Jeta më çoi drejt kinemasë, por unë vazhdova të shkruaja herë pas here për gazetën ku punonte Dani. Ai i lexonte me kënaqësi shkrimet e mia dhe, njësoj si në fillim, më inkurajonte edhe në rrugëtimin tim në botën e filmit. Kjo korrespondencë vazhdoi deri në fund të majit të vitit 2016. Ndërsa ndodhesha në xhirimet e një filmi të viteve 20-të për MGM Studios, mora lajmin që nuk do të doja ta dëgjoja kurrë, se Ramadan Bigza nuk jetonte më. Zemra e tradhtoi, edhe pse ai e donte jetën dhe kishte ende aq shumë për të dhënë. U largua duke lënë pas një familje të mrekullueshme, dy djem të denjë që vazhdojnë të mbajnë gjallë frymën dhe vlerat e të atit, me respektin për njerëzit, dashurinë për profesionin dhe përkushtimin ndaj komunitetit. Edhe pas dhjetë vitesh, Dani mbetet një emër që nuk shuhet. Ai jeton në kujtimet e miqve, në shkrimet që la pas dhe në respektin e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin. I paharruar qoftë kujtimi yt, Dani. Këto fotografi janë shkrepur në orën 22:14 të mbrëmjes së 24 tetorit 2024, në Stadiumin Olimpik të Athinës. Për shumëkënd është thjesht një stadium, por për mua ishte një zyrë pune. Për dhjetë vite me radhë raportova prej aty çdo ndeshje të Panathinaikosit, një klubi historik që renditet mes më të mëdhenjve të futbollit grek dhe që kujtohet ende si finalist i Kupës së Kampioneve të Europës në vitin 1971, përballë Ajaksit legjendar të Johan Krujfit.
Gjatë vizitës sime në Greqi, pas 15 vitesh, nuk mund të mungonte një rikthim në atë stadium. Rastësia deshi që atë mbrëmje Panathinaikosi të përballej me gjigantët londinezë të Çelsit në Europa League. Në tribunën e shtypit kisha pranë edhe bashkëshorten time, Ediolën. Doja t'i tregoja nga afër se si punoja dikur, sesi raportoja ndeshjet, sesi prisja me orë të tëra në zonën mikse për të marrë një deklaratë ekskluzive, me një kasetofon në dorë, apo së bashku me kameramanët pas sfidave më të rëndësishme. Shpesh duhej të prisje në shi, në të ftohtë dhe deri natën vonë vetëm për të marrë atë që në gjuhën e gazetarisë quhet "lajmi". Çdo intervistë dhe çdo informacion dërgohej menjëherë te kolegët e mi të Panorama Sport, me në krye gazetarin e talentuar Jetmir Halili, të cilët e ngritën gazetën në nivelet më të larta të gazetarisë sportive shqiptare me intervista ekskluzive të yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror. Por atë mbrëmje nuk isha më aty për të raportuar ndeshjen. Jetoja tashmë në Shtetet e Bashkuara dhe mendja ime ishte te Botërori 2026. Prandaj vendosa t'i bëja një pyetje krejt ndryshe mbrojtësit të Çelsit dhe kampionit të saposhpallur të Europës me Spanjën, Marc Cucurella. Në zonën ku dalin futbollistët kishte gazetarë grekë dhe britanikë që e pyesnin për ndeshjen dhe për Çelsin. Kur erdhi radha ime, e pyeta krejt papritur për Kombëtaren e Spanjës dhe objektivin për të fituar Botërorin 2026. Për një çast ai mbeti i surprizuar. Edhe gazetarët përreth u habitën, aq sa dëgjova madje dikë të pëshpëriste: "Për çfarë po flet ky?", ndërkohë që të gjithë ishin mbledhur për Panathinaikos–Çelsi. Cucurella buzëqeshi dhe, me shumë respekt, u përgjigj: "Oh... për Botërorin është ende herët të flasim. Por mos harroni se jemi kampionët në fuqi të Europës. Pse të mos fitojmë edhe Kupën e Botës? Kemi një skuadër shumë të fortë dhe plot talente." Për mua kjo mjaftonte. Ishte një deklaratë me vlerë nga një prej futbollistëve më të mirë në botë në pozicionin e tij dhe një nga protagonistët e Spanjës. Sapo mbaroi përgjigjen, Cucurella u nis me vrap drejt autobusit ku e prisnin shokët e skuadrës, duke mbajtur në njërën dorë edhe vaktin e tij të ushqimit. Ishte me nxitim, por kjo nuk e pengoi të ndalonte pak çaste më vonë për të bërë fotografinë që Ediola i kërkoi me shumë mirësjellje. Unë nuk e kisha menduar fare, sepse isha përqendruar vetëm tek deklarata e tij . Ai u kthye menjëherë dhe iu përgjigj: "Sigurisht, me shumë kënaqësi." Dhe kështu u realizua kjo fotografi. Kur ai u largua, Ediola më tha diçka shumë të rëndësishme: "Ti more një lajm shumë të mirë, por lajmi ka nevojë edhe për një fotografi që ta dëshmojë dhe ta ilustrojë." Kishte plotësisht të drejtë. Sot, kur e shoh këtë fotografi, më kujton jo vetëm një deklaratë të veçantë, por edhe një parashikim që doli i saktë. Atë mbrëmje të 24 tetorit 2024, Marc Cucurella besonte se Spanja kishte potencialin për të fituar Botërorin 2026. Ndoshta Spanja nuk ishte skuadra më spektakolare e këtij Botërori, por ishte padyshim më e qeta, më e pjekura dhe më e sigurta gjatë gjithë rrugëtimit të saj. Kur në skuadër ke futbollistë si Rodri, Lamine Yamal, Marc Cucurella dhe shumë talente të tjera të jashtëzakonshme, suksesi nuk është rastësi, por rezultat i cilësisë, organizimit dhe mentalitetit fitues. Jeta më ka mësuar një gjë të thjeshtë se asnjë punë nuk është e vogël dhe e nënvlerësueshme. Çdo profesion, çdo sakrificë dhe çdo aftësi që fiton gjatë rrugës mund të të hapë një derë që nuk e kishe imagjinuar kurrë.
Në botën e filmit thuhet se për rolet kryesore dhe dytësore, shkolla e aktrimit dhe eksperienca janë pasaporta drejt suksesit. Kjo është e më se e vërtetë se keto të dyja janë faktorët kryesorë që i japin një aktori mundësinë të ndërtojë një karrierë dhe të arrijë majat e kinemasë.. Por për shumë role të tjera, sidomos ato karakteriale, shpesh vendosin aftësitë(skills) që ke fituar në jetë. Kamera nuk kërkon vetëm një aktor, ajo kërkon një njeri që di ta jetojë personazhin. Talenti mund të jetë i lindur, por në shumicën e rasteve ai formësohet dhe përsoset përmes përgatitjes dhe punës. Kur hodha hapat e para në këtë industri nuk kisha as diplomë aktrimi dhe as eksperiencë në sheshxhirim. E vetmja pasuri që zotëroja ishte jeta ime. Jeta, e cila për hir të mbijetesës, më detyroi të mësoj profesione dhe aftësi të ndryshme. Sot e kuptoj se Zoti nuk e lë pa shpërblim asnjë punë të ndershme. Edhe kur punoja si pastrues, nuk e konsiderova kurrë atë punë si të parëndësishme. Pikërisht ajo eksperiencë më ka ndihmuar të fitoj role në tre filma të mëdhenj hollivudianë. Dikush mund të mendojë se të mbash një fshesë nuk kërkon ndonjë aftësi të veçantë, por në film nuk mjafton vetëm ta mbash. Duhet të hysh në karakter, të lëvizësh natyrshëm dhe të bindësh kamerën. Objektivi nuk fal, por ai zbulon menjëherë nëse po aktron apo po shtiresh. Për fat, jeta më ka dhuruar shumë aftësi. Siç thashë kam punuar si pastrues, shofer, bartender, kamarier, gazetar dhe kam kaluar edhe përmes disiplinës ushtarake. Në atë kohë nuk e dija se të gjitha këto do të bëheshin një ditë pjesë e CV-së sime si aktor. Eksperienca ime ushtarake nisi me shërbimin e detyrueshëm në Shqipërinë e fillimviteve të tranzicionit. Ishte një kohë e trazuar, kur vendi po ndryshonte me shpejtësi. Atëherë kur armiku i jashtëm imagjinar u zëvendësua nga pasiguria dhe kaosi i brendshëm. Për arsye që lidhen me zgjedhjet e mia të asaj kohe, nuk mësova kurrë ta përdor armën. Por fitova diçka që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës, të vlerësoj disiplinën. Vite më vonë, në vitin 2017, mora pjesë në një trajnim tre-mujor në kampin e Warner Brothers në Atlanta të shtetit të Xhorxhias për koreografinë e dyluftimeve dhe lëvizjeve taktike për nevojat e filmit "Godzilla: King of the Monsters". Aty kuptova se çdo përvojë e jetës po merrte kuptim. Një vit më parë, në vitin 2016, kisha ndjekur trajnimin e Universal Studios për driver stunts, për nevojat e skenave të përplasjeve automobilistike në Fast & Furious 8 në Cleveland. Çdo trajnim shtonte një aftësi të re dhe më bindte se në industrinë e filmit asgjë nuk humbet. Çdo "skill" që fiton mund të bëhet, një ditë, arsyeja pse zgjidhesh për një rol. Ajo eksperiencë më hapi rrugën për të fituar rolin e Oficerit Taylor, në një film ku do të interpretoja përkrah Daniel Radcliffe. Ishte e pabesueshme të ndaje të njëjtin set me një aktor që ka qenë pjesë e një prej fenomeneve më të mëdha në historinë e letërsisë dhe kinemasë. Kur e dëgjon emrin e tij, mendja e kujtdo i shkon menjëherë te Harry Potter. Miliona njerëz janë rritur me filmat e tij. Por unë pata fatin ta njihja nga afër. Takimi ynë i parë ndodhi në provat e skenave të natës. Skena që do zhvilloheshin në Havai, në vitin 1968, brenda klubit të oficerëve gjatë Luftës së Vietnamit. Ishim në sheshxhirim (set), të gjithë të përqendruar, kur ai erdhi drejt nesh. Na përshëndeti dhe na shtrëngoi dorën një nga një. Mund të duket një gjest i zakonshëm, por për mua nuk ishte vetëm ajo. Ai shtrëngim duarsh ishte një leksion karakteri. Daniel nuk sillej si një yll që duhej admiruar nga larg. Ai sillej si një koleg që e dinte se një film nuk ndërtohet vetëm nga protagonisti, por nga puna e çdo njeriu që ndodhet para dhe pas kamerës. Pra në filozofinë e tij, çdo njeri në set është i rëndësishëm për realizimin e një skene perfekte. Arma më e fortë nuk është protagonizmi, por harmonia e skuadrës. Ndoshta këtë ai e di më mirë se kushdo tjetër, sepse Broadway të mëson se suksesi nuk ndërtohet vetëm nga aktori kryesor, por nga puna kolektive përballë një audience që e ndien çdo emocion live. Ankthi i ditës së parë ishte i madh. Prisja me padurim të punoja pranë një aktori të atij kalibri. Sapo përfunduam provën e parë (rehersail), ai erdhi, na takoi dhe na shtrëngoi dorën. Në sheshxhirim nuk ka kohë për bisedë të gjatë, por unë përfitova nga ajo shtrëngim dore për ta uruar për suksesin që po korrte në Broadway me shfaqjen "Every Brilliant Thing" në Hudson Theatre. U befasua kur kuptoi se ndiqja punën e tij edhe në teatër. Por, e vërteta është se nuk kam kohë të jem spektator në Broadway, por jam i apasionuar pas informacionit. Kam qenë gjithmonë i etur për të mësuar se çfarë ndodh në atë magji të performancës. Besoj se ai teatër është një tempull ku aktorët dhe publiku krijojnë një lidhje që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Natën e parë xhiruam vetëm tre skena. Daniel kishte ardhur në shesh që në mesditë, ndërsa ne u bashkuam vetëm në mbrëmje për skenat e fundit. Pas orësh të tëra pune dhe dhjetëra dublave, ai vazhdonte të buzëqeshte dhe të ruante të njëjtën energji. Aty kuptova se madhështia e një aktori nuk matet vetëm me çmimet që fiton apo me famën që gëzon. Matet me mënyrën se si i trajton njerëzit që punojnë pranë tij. Nga ato net xhirimesh kam shumë kujtime. Por nëse dikush më pyet sot se cili ishte momenti që nuk do ta harroj kurrë, përgjigjja ime është e thjeshtë. Shtrëngimi i dorës me djalin magjik të Harry Potter. Jam mësuar në jetë që, përtej dëshirave apo preferencave personale, atij që e meriton, t'ia japësh hakun. Dhe në këtë rast, Argjentina e meritoi.
Në gjysmëfinalen ndaj Anglisë ajo tregoi fytyrën e saj të vërtetë. Skuadra e Lionel Skalonit aplikon një lojë shumë inteligjente nga ana taktike, që do të thotë i lë kundërshtarit iniciativën për pjesën më të madhe të ndeshjes, duke e detyruar të qarkullojë topin dhe, mbi të gjitha, të konsumojë vazhdimisht energji. Por kur në repartin ofensiv ke lojtarë si Lionel Mesi, Julian Alvarez dhe Lautaro Martinez, mjaftojnë pak minuta për të ndryshuar gjithçka. Në fazën finale të ndeshjes, kur kundërshtari është fizikisht dhe mendërisht i lodhur, Argjentina rrit ritmin, shton presionin dhe sulmon me një intensitet që bëhet jashtëzakonisht i vështirë për t'u përballuar. Pikërisht aty cilësia individuale e yjeve të saj e kthen çdo rast në gol dhe çdo avantazh të kundërshtarit në një disavantazh. Në dy ndeshjet e mëparshme ndaj Egjiptit dhe Zvicrës, ky mekanizëm u errësua nga vendime të diskutueshme të arbitrave, ndaj shumëkush ia atribuoi epërsinë numerike të Argjentinës vetëm kartonëve të kuq të kundërshtarëve. Megjithatë, ndeshja me Anglinë tregoi se kjo është pjesë e identitetit të saj taktik se kur Argjentina "ndez motorët" në minutat e fundit, ajo bëhet jo vetëm pothuajse e pandalshme, por edhe shkatërruese, pavarësisht rezultatit që është në tabelë. Besoj se Spanja e ka analizuar me kujdes këtë aspekt. Dy skuadrat kanë ngjashmëri në filozofinë e lojës, por finalja e këtij botërori do të vendoset nga dy elementë, siç është cilësia e lojtarëve të mëdhenj dhe zgjedhjet taktike të trajnerëve. Nëse Spanja arrin të administrojë energjitë më mirë dhe të mos bjerë në grackën e konsumimit të tepërt gjatë gjithë ndeshjes, do të ketë më shumë mundësi t'i rezistojë presionit shkatërrues që Argjentina ushtron në minutat vendimtare. Kjo është, pak a shumë, receta ime personale për menunë futbollistike që pritet të na servirë finalja e 19 Korrikut në MetLife Stadium të Nju Xhersit. Nëse Spanja ka nxjerrë mësimet e duhura nga gabimet e paraardhësve të saj dhe arrin t'i korrigjojë ato, atëherë mund të jemi përpara një finaleje shumë më të ekuilibruar, më interesante dhe më të paparashikueshme se çdo finale tjetër në historinë e Kupës së Botës. Kam edhe një njoftim për ata që duan të shijonë luksin bashkë me spektaklin. Megjithëse ndodhem vetëm pak kilometra larg finales së madhe, ndeshjen do ta ndjek nga ekrani. Jo vetëm sepse biletat janë më të shtrenjta se kurrë, por sepse luksi i kësaj finaleje ka kaluar çdo kufi. Për ata që preferojnë luksin më shumë sesa spektaklin, një vend në një nga suitat VIP të MetLife Stadium kushton rreth 32 mijë dollarë, çmim që përfshin edhe ushqimin. Finalja e Kupës së Botës mbetet një ëndërr për miliona tifozë, por këtë herë duket se është bërë më shumë një privilegj për shumë pak njerëz. Jemi në prag të finales së madhe të 19 Korrikut. Vetëm pak kilometra më ndajnë nga stadiumi ku do të shkruhet historia, por në të njëjtën kohë ndihem më larg se kurrë nga brendësia e atij tempulli të futbollit. Tempuj që kam ndjekur dhe kam rrëfyer për më shumë se 25 vjet në karrierën time si gazetar sportiv. Ironia është e hidhur, fizikisht jam kaq pranë, por profesionalisht më larg se kurrë nga spektakli që ka qenë një pjesë e pandashme e jetës sime.
Ky Botëror do të mbahet mend si një nga më të debatueshmit në histori. Ky Botëror ka të gjitha gjasat të mbahet mend si një nga më të shëmtuarit dhe më të debatueshmit që është zhvilluar ndonjëherë. Jo vetëm për atë që po ndodh në fushë, por sidomos për atë që po ndodh jashtë saj. Sot vëmendja duket se është zhvendosur nga futbolli te komercializmi. Fitimet marramendëse të organizatorëve, sponsorëve dhe markave globale kanë marrë përparësi ndaj vetë lojës. Në tribunat VIP dhe në çdo cep të stadiumeve shohim influencerë me miliona ndjekës, shumë prej të cilëve nuk kanë asnjë lidhje me futbollin. Ata janë aty për të krijuar përmbajtje për rrjetet sociale, për të bërë fotografi me yjet e futbollit dhe për të promovuar markat, ndërsa tifozët e vërtetë shpesh mbeten jashtë. Edhe më shqetësues është fakti se gazetarë me dekada përvojë, që ia kanë kushtuar jetën raportimit të futbollit, po e humbasin vendin e tyre përballë figurave të rrjeteve sociale. E kam përjetuar edhe vetë këtë realitet. Pas më shumë se 25 vitesh në gazetarinë sportive, me raportime nga kampionate evropiane dhe botërore, e pashë se eksperienca dhe profesionalizmi vlejnë më pak se numri i ndjekësve në rrjetet sociale. Kjo nuk është thjesht padrejtësi ndaj gazetarëve, por është një sinjal se futbolli po i jep përparësi marketingut mbi meritën dhe se spektakli po zëvendëson përmbajtjen. Një tjetër zhgënjim është Brazili. Për herë të parë, si admirues i Seleçaos që nga fëmijëria, e gjeta veten duke mos ditur as emrin e sulmuesit me numrin 9. Më duhej të prisja kamerën televizive që të lexoja emrin në fanellë. Kjo tregon shumë për mungesën e figurave që dikur e bënin Brazilin sinonim të spektaklit dhe magjisë së futbollit. Për një komb me pesë tituj botërorë, kjo është një varfëri yjesh që nuk mund të kalojë pa u vënë re. Po aq debatues ka qenë edhe rrugëtimi i Argjentinës. Për shumë tifozë është krijuar përshtypja se disa vendime arbitrale kanë shkuar në favor të saj. Episodi i kartonit të padhënë ndaj Lionel Mesit në ndeshjen e parë dhe vendime të tjera gjatë turneut kanë ushqyer bindjen se standardi nuk ka qenë i njëjtë për të gjithë. Nëse ato vendime do të ishin marrë ndryshe, ndoshta edhe historia e këtij Botërori do të kishte marrë një tjetër drejtim. Nuk është e mundur të provohet se ekziston një plan i organizuar për të favorizuar Argjentinën apo Mesin. Megjithatë, është e kuptueshme që shumë tifozë krijojnë këtë perceptim kur shohin vendime të diskutueshme që përsëriten. Në një epokë ku marketingu dhe imazhi kanë një peshë të jashtëzakonshme, çdo episod i tillë ushqen dyshimet dhe dëmton besimin te drejtësia sportive. Për mua, problemi më i madh nuk është Lionel Mesi. Ai është një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë dhe këtë nuk e vë askush në diskutim. Problemi është se futbolli po humbet shpirtin e tij. Diego Maradona e paralajmëronte prej vitesh se komercializmi i tepruar do ta vriste magjinë e lojës dhe do ta kthente futbollin në një produkt marketingu. Sot, shumë prej atyre paralajmërimeve profetike duken më aktuale se kurrë. Futbolli i madh është ndërtuar mbi emocionin, meritën dhe surprizat. Kur tifozët fillojnë të besojnë se interesat ekonomike kanë më shumë peshë se ajo që ndodh në fushë, humbet elementi më i shenjtë i sportit, pra besimi se rezultati vendoset vetëm nga loja. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ky Botëror rrezikon të mbahet mend jo për spektaklin që prodhoi, por për debatet që la pas. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
August 2026
Categories |
RSS Feed