|
Prej kohësh po zhvilloj xhirimet e një show-i tim të veçantë pilot, ende të palançuar, ku unë jam guida e turistëve elitarë që vijnë nga vende të ndryshme të botës për të vizituar dhe eksploruar Nju Jorkun, qytetin e ëndrrave që nuk fle kurrë.
Nuk është ky momenti për të folur gjatë për këtë projekt. Do të kem kohë ta bëj kur ai të jetë gati për t’u prezantuar. Por po e përmend për një arsye tjetër. Në këtë show, përveçse përpiqem të krijoj humor dhe momente spontane me të ftuarit e mi, si shqiptar kam edhe një mision të vogël personal, që t’u tregoj atyre një tjetër Shqipëri. Shqipërinë e bukur, mikpritëse, atë që shumë prej tyre nuk e kanë zbuluar ende. Kur biseda shkon te destinacionet turistike, unë u flas për jugun e Shqipërisë, për bregdetin e tij përrallor, për ujërat e kristalta dhe për atë që gjithnjë e më shumë po quhet “Maldivet e Europës”. Dhe reagimi i tyre më bën krenar. Shumë prej tyre më thonë se Shqipëria është tashmë në listën e destinacioneve që duan të vizitojnë. Madje disa më premtojnë se pas Nju Jorkut, udhëtimi i tyre i radhës mund të jetë pikërisht Shqipëria. Deri këtu, gjithçka është bukur, por formati i show-t tim ka shumë humor dhe batuta, dhe ndonjëherë më duhet të shpjegoj edhe diçka tjetër, atë imazhin jo fort të mirë që është krijuar për Shqipërinë jashtë vendit, sidomos për shkak të individëve dhe grupeve të lidhura me botën e krimit. Dhe kjo nuk është më thjesht një çështje imazhi, por është edhe një çështje sigurie. Muaj përpara ngjarjes së rëndë në Ksamil, gjatë një bisede me dy çifte simpatike nga Varshava, u përpoqa t’i qetësoja për këtë perceptim që ekziston jashtë vendit, sepse një krim i kryer nga individë të caktuar shpesh mjafton që ai të kthehet në një stereotip të padrejtë për një popull të tërë. U thashë me shaka:-“Mos u trembni nga imazhi i keq që kemi. Në Shqipëri do të gjeni njerëz bujarë dhe mikpritës. Të këqijtë tanë ua kemi sjellë atje, në Europë!” Plasi e qeshura, saqë njëra prej vajzave, për të ma kthyer me të njëjtën monedhë dhe për të ma lehtësuar bisedën, më tha: “E njëjta akuzë vlen edhe për polakët në sytë e britanikëve!” Qeshëm të gjithë me lot. Në atë moment ishte thjesht një batutë. Një mënyrë për të thyer akullin dhe për të mos e kthyer bisedën për Shqipërinë në një leksion mbi krimin dhe stereotipet. Por sot, pas asaj që ndodhi në Ksamil, ajo bisedë më është rikthyer në mendje. Sepse vrasja e një turisti portugez 20-vjeçar në Ksamil, në zemër të sezonit turistik, nuk mund të trajtohet vetëm si një ngjarje e rëndë kriminale. Ajo prek drejtpërdrejt atë që Shqipëria po përpiqet të ndërtojë, si imazhin e një destinacioni të sigurt, mikpritës dhe europian. Sipas raportimeve të deritanishme, viktima u godit me thikë dhe i dyshuari, një 29-vjeçar që punonte si roje sigurie, u arrestua pas arratisjes nga vendi i ngjarjes. Hetimi vijon për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe personat e përfshirë. Dhe pikërisht këtu humori mbaron. Sepse ajo që më shqetëson nuk është vetëm krimi në vetvete. Më shqetëson fakti që njerëzit që vijnë në Shqipëri për të pushuar, për të shijuar detin dhe bukuritë tona, mund të përballen me një realitet që nuk duhet të ekzistojë në një vend që pretendon se turizmi është një nga prioritetet e tij kombëtare. Një vend normal nuk mund t’ia lërë fatin e turizmit kapove të botës së krimit. Një vend që e ka turizmin prioritet kombëtar nuk mund të tolerojë që njerëz me para të pista të blejnë prona, biznese, hotele, resorte apo ndikim dhe pastaj të sillen sikur shteti nuk ekziston. Sepse problemi nuk është vetëm krimi. Problemi bëhet shumë më i madh kur krimi arrin të krijojë ndikim mbi politikën, institucionet dhe vendimmarrjen. Atëherë ligji ekziston në letër, por poshtë tij funksionon një botë tjetër. Një botë ku ligjet e shkruara nga shteti mund të përplasen me “ligjet” e të fortëve. Një botë ku paraja mund të blejë ndikim, ku vota mund të kthehet në mall dhe ku njerëzit që duhet të përfaqësojnë qytetarët mund të përfundojnë duke u shërbyer interesave të atyre që kanë para dhe pushtet. Dhe këtu fillon rreziku i vërtetë. Sepse shteti ligjor është i fortë vetëm kur ligji është më i fortë se paraja, pushteti dhe krimi. Në momentin që politika korruptohet dhe institucionet bëhen të kapshme, shteti fillon të humbasë autoritetin e tij. Mund të miratohen ligje më të ashpra, mund të shtohen dënimet dhe mund të bëhen deklarata të forta nga zyrat e shtetit. Por nëse në terren ekziston një strukturë e nëndheshme që komandon, blen dhe kërcënon, ligji mbetet vetëm një tekst në letër. Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë. Jo vetëm për imazhin e Shqipërisë, por për sigurinë e turistëve dhe për të ardhmen e një industrie nga e cila varen mijëra familje shqiptare. Sepse unë nuk dua t’u tregoj turistëve vetëm Shqipërinë e bukur në fotografi. Dua t’u tregoj Shqipërinë që meritojnë ta shohin. Dhe Shqipëria që meritojnë të shohin nuk është Shqipëria e krimit. Nuk është Shqipëria e kapove. Nuk është Shqipëria e parave të pista. Nuk është Shqipëria e politikanëve që mund të bëhen peng i interesave të njerëzve të fuqishëm. Shqipëria ime është ajo që e njoh prej fëmijërisë. Është Shqipëria e njerëzve të zakonshëm. E atyre që ndoshta nuk kanë hotel as resort. Nuk kanë mundësi të vendosin shezllone pranë brigjeve ekzotike. Ndoshta nuk kanë asgjë nga ato që sot maten me miliona. Por i kanë duart plot me prodhimet e tyre dhe zemrën plot me bujari. Shqiptarët e mirë janë aty, në shtëpitë e tyre, në rrugët e fshatrave dhe qyteteve. Në tregjet ku shesin prodhimet e tokës së tyre. Dhe jam i bindur se po t’u trokasësh në derë, jo vetëm që do ta gjesh të hapur, por do të gjesh edhe zemrën e tyre. Sepse në traditën e shqiptarit, shtëpia nuk është vetëm e të zotit por është e Zotit dhe e mikut. Dhe për mikun, shpesh nuk ka rëndësi nëse është i ftuar apo i paftuar. Kjo është Shqipëria që unë dua t’u tregoj turistëve. Shqipërinë që ka detin e kaltër, malet, historinë, ushqimin dhe bukuritë që mund ta bëjnë një destinacion të jashtëzakonshëm europian. Por mbi të gjitha, Shqipërinë e njerëzve të mirë. Sepse Shqipëria nuk duhet të gjykohet nga ata që e kanë kthyer krimin në biznes dhe paranë e pistë në pushtet. Shqipëria duhet të njihet nga ata që, edhe pa pasur miliona, vazhdojnë ta mbajnë derën dhe zemrën hapur për mikun.
0 Comments
Një shqiptar, një grek dhe një sanduiç… Historia më e bukur që mora me vete nga "One Night Only"8/7/2026 Kanë mbetur vetëm pak orë nga premiera botërore e komedisë romantike "One Night Only", një prodhim i Universal Studios, e cila do të nisë rrugëtimin e saj në kinematë e mbarë botës sot , më 7 gusht. Këtë herë nuk dua të shkruaj për filmin, por për një njeri që e bëri atë eksperiencë edhe më të bukur, për kolegun tim, Roberton.
Roberto është shtetas amerikan, me baba grek nga Selaniku dhe nënë braziliane. Por, që në momentin e parë që u takuam në sheshxhirim, pata ndjesinë sikur njiheshim prej kohësh. Ata që kanë jetuar emigracionin shqiptar në Greqinë e viteve '90 e kuptojnë mirë se përtej historisë, politikës apo paragjykimeve, ekzistonte diçka më e fortë, ajo që quhet afërsia njerëzore. Mjaftonte një shikim për të kuptuar se përballë kishe një njeri të rritur me të njëjtën kulturë mesdhetare, me të njëjtin temperament, me të njëjtën mënyrë të të qeshurit, të të folurit e të respektuarit. Unë kam jetuar vite të rëndësishme në Greqi. Atje u formova si student dhe më pas si gazetar. Kam punuar me dhjetëra kolegë grekë dhe, pa asnjë hezitim, mund të them se shumica dërrmuese e tyre më trajtuan si të barabartë. Kur dikush përpiqej të cenonte dinjitetin tim vetëm pse isha shqiptar, ata ishin të parët që reagonin. Nuk luftonin vetëm për mua, por për të mbrojtur fytyrën e një shoqërie që kishte zgjedhur të jetonte me respekt dhe jo me urrejtje. Një pjesë e rrugëtimit tim i detyrohet edhe atyre. Prandaj, kur them se Roberto më kujton ata njerëz, nuk është kompliment i vogël, përkundrazi shumë më tepër. Babai i tij i ndjerë selanikas besonte se fqinjësia nuk është thjesht çështje gjeografie, por është karakter, madje është detyrim moral për t'i qëndruar pranë tjetrit kur ai ka nevojë. Me këtë filozofi u rrit edhe Roberto, i cili, megjithëse lindi në Shtetet e Bashkuara, u edukua në Greqi deri në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, duke besuar se kjo botë është mjaftueshëm e madhe për të gjithë. Në "One Night Only", regjizori Will Gluck na besoi rolet e dy bartenderëve. Nuk e di nëse ishte rastësi apo intuitë artistike, por më dukej sikur ai kishte zgjedhur dy njerëz që e njihnin mirë shpirtin e Mesdheut. Sepse kush më mirë se një shqiptar dhe një grek e di se çfarë do të thotë të jetosh netët që zgjasin deri në agim, me muzikën që nuk pushon kurrë, bisedat që vazhdojnë deri në lindjen e diellit dhe një atmosferë ku romantizmi ka gjithmonë notat e tij më të bukura. Në film, ne kishim misionin t'u shërbenim qindra klientëve gjatë natës më të rëndësishme të vitit, natës magjike të 7 gushtit, kur secili ka vetëm një mundësi për të takuar njeriun që mund t'i ndryshojë jetën përgjithmonë. Sigurisht, ne nuk jemi yjet e filmit. Ata janë Callum Turner dhe Monica Barbaro, të cilët mbajnë mbi supe historinë e kësaj komedie romantike. Por jam i bindur se Roberto dhe unë do të mbahemi mend si dy bartenderët e barit legjendar Dante të "One Night Only", si dy fqinj mesdhetar nga pas banakut, që u shërbyen me të njëjtin përkushtim qindra personazheve gjatë natës më të rëndësishme të jetës së tyre. Edhe jashtë kamerës gjithçka funksiononte në mënyrë perfekte. Nuk kishim nevojë të flisnim. Mjaftonte një shikim, ku njëri merrte shishet, tjetri gotat. Pra, ritmi ishte i njëjtë. Ndoshta sepse të dy kishim punuar bartender edhe në jetën reale dhe e dinim mirë çfarë do të thotë të punosh nën presion. Por kujtimi që nuk do ta harroj kurrë ndodhi larg kamerave. Ishte ende pesë e mëngjesit kur shkuam në zonën e ushqimit të produksionit. Roberto, si gjithmonë, më la të kaloja përpara në radhë. Mora dy sanduiçë me bejkon, avokado dhe të bardhën e vezes. As sot nuk e di pse mora dy, kur zakonisht marr vetëm një. Sapo u largova nga banaku, i erdhi radha e Robertos. Në atë çast, përgjegjësi i kuzhinës mori urdhër të ndërpriste menjëherë shpërndarjen e ushqimit. Të gjithë aktorët duhej të paraqiteshin në garderobë dhe grim. Rregullat në një produksion të tillë nuk bëjnë përjashtime. Roberto mbeti pa vaktin e parë. E pashë në fytyrë zhgënjimin e tij. U përpoq të shpjegonte se kishte pritur në radhë, por askush nuk mund të ndryshonte vendimin. U kthye pranë meje, pa thënë asnjë fjalë, por unë i zgjata njërin nga sanduiçët. Ai më pa i habitur. Atëherë, duke buzëqeshur, i thashë në greqisht:- «Πάντα ο Έλληνας έχει τον Αλβανό τοu για να σωθεί.» ("Gjithmonë greku e ka shqiptarin e tij për ta shpëtuar.") Për disa sekonda më pa në sy, pastaj shpërtheu në të qeshura. Qeshi aq shumë, sa harroi urinë, harroi mërzitjen dhe harroi padrejtësinë e atij momenti. Në greqisht i tingëlloi aq bukur sa vazhdonte të qeshte me lot. Duke më përqafuar si dy shokë të pandarë- më thotë - "Prandaj besoj se ne, grekët dhe shqiptarët, nuk mund të bëjmë pa njëri-tjetrin. Zoti e ka ditur mirë pse na ka lënë fqinj të përjetshëm." Ndoshta kjo është arsyeja pse arti është kaq i bukur. Sepse në fund nuk mbeten rolet, kamerat apo dritat, por mbesin njerëzit, mbesin miqësitë. Pra, mbeten ato gjeste të vogla që vlejnë më shumë se çdo dialog filmi. Gjithsesi, historitë me Roberton janë të shumta dhe jam i bindur se koha do të na japë rastin t'i ndajmë edhe ato. Por tani, që nga sot, ia lëmë radhën "One Night Only". Shihemi në kinema, aty ku historia do të marrë jetë dhe do t'u dhurojë adhuruesve të filmit një natë plot humor, romantizëm dhe emocione. Sepse ndonjëherë historitë më të bukura nuk shkruhen në skenar. Ato lindin prapa kamerës, në ato çaste të vogla njerëzore që nuk i sheh publiku, por që aktorët i marrin me vete përgjithmonë. Lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit të famshëm ishte tronditës për familjen e tij, kolegët dhe gjithë komunitetin e kinemasë botërore. Për mua ishte edhe një lajm që më riktheu shumë kujtime të bukura nga një periudhë e veçantë e jetës sime.
E njoha nga afër Vincent Pastoren në prill të vitit 2018, gjatë xhirimeve të filmit aksion-komedi/parodi "Made in Chinatown" në Filadelfia, ku isha pjesë e grupit të tij në rolin Italian Mobster #10. Të luaje përkrah një aktori që kishte lënë gjurmë në kinemanë amerikane me interpretime të paharrueshme në Goodfellas, Revolver, Shark Tale dhe, mbi të gjitha, në serialin legjendar The Sopranos, ishte një privilegj i madh dhe një përvojë që do ta kujtoj gjithmonë. Që në ditën e parë të xhirimeve ai më pyeti për emrin tim. Duke qenë se pamja ime i ngjante shumë një italiani, më pyeti se nga cilat treva të Italisë isha. Me humor i thashë: “Jam nga trevat përtej detit”. Kur mësoi se isha shqiptar, menjëherë u afrua edhe më shumë me mua. Që nga ai moment filluam të bënim shumë shaka gjatë pushimeve mes skenave. Gjarë dublave Vincenti mbante shpesh një shkop bejsbolli në dorë dhe, duke bërë shaka me rolin tim si “mafie e re”, më tregonte si ta mbaja dhe si të përballesha me rivalët kinezë në film. Por gjithmonë me humor më thoshte se- “Ti nuk e paske atë zemrën për të hyrë në sherre, por kur ju duhet ju shqiptarëve, ju dini të jeni trima”. Kështu lindi një miqësi e bukur gjatë gjithë ditëve të xhirimeve në Filadelfia. Ishim krijuar si një skuadër ku ishin disa prej fytyrave më të njohura të kinemasë hollivudiane, aktorë që vinin nga universi i filmave si “The Godfather”, “Taxi Driver”, “A Bronx Tale” dhe “The Sopranos”. Për mua, si shqiptari i vetëm në atë grup, ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Këta ishin filmat që më kishin shoqëruar që në rininë time. I kisha parë dhjetëra herë në ekran, i kisha admiruar personazhet dhe interpretimet e tyre, pa e imagjinuar kurrë se një ditë do të gjendesha në të njëjtin sheshxhirim, përkrah atyre aktorëve që kishin bërë historinë e filmave me mafien. Madje, për ironi të bukur të fatit, u bëra pjesë e "skuadrës së sherreve" të tyre. Ja që jeta di të të dhurojë surpriza që as fantazia nuk arrin t'i parashikojë. Në filmat ku ata kanë interpretuar role mafiozësh, publiku i njeh si burra të ashpër, të ftohtë dhe të pamëshirshëm. Por kur i njeh nga afër, zbulon krejt të kundërtën. Njerëz të thjeshtë, të ngrohtë, me shumë humor, respekt për kolegët dhe një energji të jashtëzakonshme pozitive. Është pikërisht kjo anë njerëzore që nuk shfaqet në ekran, por që të mbetet gjatë në kujtesë. Për mua, ky ishte mësimi më i bukur nga ato ditë xhirimi në Filadelfia. Gjatë gjithë kohës pas skenave relaksoheshim, qeshnim dhe krijonim atmosferë familjare, sepse edhe vetë filmi ishte një parodi ku të qeshurat nuk mungonin asnjëherë. Sot Vincent Pastore na la, por mbetet kujtimi i një aktori të madh dhe mbi të gjitha i një njeriu me zemër të madhe. Ai do të mbetet për mua jo vetëm aktori i madh që pashë në ekran, por edhe njeriu që më afroi, më bëri të qesh dhe më dha një nga ato momente të rralla kur një ëndërr e vjetër e një adoleshenti bëhet realitet. Nga një djalë i Shkodrës së qytetit të kinemasë së famshme në Shqipëri, që i shikonte me admirim filmat e tyre në ekranin e madh, deri te dita kur u gjenda përkrah tyre në një sheshxhirim në Filadelfia. Ishte një ëndërr që u bë realitet dhe një kujtim që do ta ruaj me krenari për gjithë jetën. U prehsh në paqe, Vincent! |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
August 2026
Categories |
RSS Feed