Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Një shqiptar, një grek dhe një sanduiç… Historia më e bukur që mora me vete nga "One Night Only"

8/7/2026

0 Comments

 
Kanë mbetur vetëm pak orë nga premiera botërore e komedisë romantike "One Night Only", një prodhim i Universal Studios, e cila do të nisë rrugëtimin e saj në kinematë e mbarë botës sot , më 7 gusht. Këtë herë nuk dua të shkruaj për filmin, por për një njeri që e bëri atë eksperiencë edhe më të bukur, për kolegun tim, Roberton.

Roberto është shtetas amerikan, me baba grek nga Selaniku dhe nënë braziliane. Por, që në momentin e parë që u takuam në sheshxhirim, pata ndjesinë sikur njiheshim prej kohësh.

Ata që kanë jetuar emigracionin shqiptar në Greqinë e viteve '90 e kuptojnë mirë se përtej historisë, politikës apo paragjykimeve, ekzistonte diçka më e fortë, ajo që quhet afërsia njerëzore. Mjaftonte një shikim për të kuptuar se përballë kishe një njeri të rritur me të njëjtën kulturë mesdhetare, me të njëjtin temperament, me të njëjtën mënyrë të të qeshurit, të të folurit e të respektuarit.

Unë kam jetuar vite të rëndësishme në Greqi. Atje u formova si student dhe më pas si gazetar. Kam punuar me dhjetëra kolegë grekë dhe, pa asnjë hezitim, mund të them se shumica dërrmuese e tyre më trajtuan si të barabartë. Kur dikush përpiqej të cenonte dinjitetin tim vetëm pse isha shqiptar, ata ishin të parët që reagonin. Nuk luftonin vetëm për mua, por për të mbrojtur fytyrën e një shoqërie që kishte zgjedhur të jetonte me respekt dhe jo me urrejtje.

Një pjesë e rrugëtimit tim i detyrohet edhe atyre. Prandaj, kur them se Roberto më kujton ata njerëz, nuk është kompliment i vogël, përkundrazi shumë më tepër.

Babai i tij i ndjerë selanikas besonte se fqinjësia nuk është thjesht çështje gjeografie, por është karakter, madje është detyrim moral për t'i qëndruar pranë tjetrit kur ai ka nevojë. Me këtë filozofi u rrit edhe Roberto, i cili, megjithëse lindi në Shtetet e Bashkuara, u edukua në Greqi deri në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, duke besuar se kjo botë është mjaftueshëm e madhe për të gjithë.

Në "One Night Only", regjizori Will Gluck na besoi rolet e dy bartenderëve. Nuk e di nëse ishte rastësi apo intuitë artistike, por më dukej sikur ai kishte zgjedhur dy njerëz që e njihnin mirë shpirtin e Mesdheut.

Sepse kush më mirë se një shqiptar dhe një grek e di se çfarë do të thotë të jetosh netët që zgjasin deri në agim, me muzikën që nuk pushon kurrë, bisedat që vazhdojnë deri në lindjen e diellit dhe një atmosferë ku romantizmi ka gjithmonë notat e tij më të bukura.

Në film, ne kishim misionin t'u shërbenim qindra klientëve gjatë natës më të rëndësishme të vitit, natës magjike të 7 gushtit, kur secili ka vetëm një mundësi për të takuar njeriun që mund t'i ndryshojë jetën përgjithmonë.

Sigurisht, ne nuk jemi yjet e filmit. Ata janë Callum Turner dhe Monica Barbaro, të cilët mbajnë mbi supe historinë e kësaj komedie romantike. Por jam i bindur se Roberto dhe unë do të mbahemi mend si dy bartenderët e barit legjendar Dante të "One Night Only", si dy fqinj mesdhetar nga pas banakut, që u shërbyen me të njëjtin përkushtim qindra personazheve gjatë natës më të rëndësishme të jetës së tyre.

Edhe jashtë kamerës gjithçka funksiononte në mënyrë perfekte. Nuk kishim nevojë të flisnim. Mjaftonte një shikim, ku njëri merrte shishet, tjetri gotat. Pra, ritmi ishte i njëjtë. Ndoshta sepse të dy kishim punuar bartender edhe në jetën reale dhe e dinim mirë çfarë do të thotë të punosh nën presion.

Por kujtimi që nuk do ta harroj kurrë ndodhi larg kamerave.

Ishte ende pesë e mëngjesit kur shkuam në zonën e ushqimit të produksionit. Roberto, si gjithmonë, më la të kaloja përpara në radhë. Mora dy sanduiçë me bejkon, avokado dhe të bardhën e vezes. As sot nuk e di pse mora dy, kur zakonisht marr vetëm një. Sapo u largova nga banaku, i erdhi radha e Robertos. Në atë çast, përgjegjësi i kuzhinës mori urdhër të ndërpriste menjëherë shpërndarjen e ushqimit. Të gjithë aktorët duhej të paraqiteshin në garderobë dhe grim. Rregullat në një produksion të tillë nuk bëjnë përjashtime.
Roberto mbeti pa vaktin e parë.

E pashë në fytyrë zhgënjimin e tij. U përpoq të shpjegonte se kishte pritur në radhë, por askush nuk mund të ndryshonte vendimin.

U kthye pranë meje, pa thënë asnjë fjalë, por unë i zgjata njërin nga sanduiçët. Ai më pa i habitur.

Atëherë, duke buzëqeshur, i thashë në greqisht:- «Πάντα ο Έλληνας έχει τον Αλβανό τοu για να σωθεί.»
("Gjithmonë greku e ka shqiptarin e tij për ta shpëtuar.") Për disa sekonda më pa në sy, pastaj shpërtheu në të qeshura. Qeshi aq shumë, sa harroi urinë, harroi mërzitjen dhe harroi padrejtësinë e atij momenti. Në greqisht i tingëlloi aq bukur sa vazhdonte të qeshte me lot.

Duke më përqafuar si dy shokë të pandarë- më thotë - "Prandaj besoj se ne, grekët dhe shqiptarët, nuk mund të bëjmë pa njëri-tjetrin. Zoti e ka ditur mirë pse na ka lënë fqinj të përjetshëm."

Ndoshta kjo është arsyeja pse arti është kaq i bukur. Sepse në fund nuk mbeten rolet, kamerat apo dritat, por mbesin njerëzit, mbesin miqësitë. Pra, mbeten ato gjeste të vogla që vlejnë më shumë se çdo dialog filmi.

Gjithsesi, historitë me Roberton janë të shumta dhe jam i bindur se koha do të na japë rastin t'i ndajmë edhe ato.

Por tani, që nga sot, ia lëmë radhën "One Night Only". Shihemi në kinema, aty ku historia do të marrë jetë dhe do t'u dhurojë adhuruesve të filmit një natë plot humor, romantizëm dhe emocione.
​
Sepse ndonjëherë historitë më të bukura nuk shkruhen në skenar. Ato lindin prapa kamerës, në ato çaste të vogla njerëzore që nuk i sheh publiku, por që aktorët i marrin me vete përgjithmonë.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    October 2026
    August 2026
    July 2026
    June 2026
    May 2026
    April 2026
    March 2026
    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact